Botë

Skandali seksual i viteve ‘60 që tronditi politikën e Britanisë së Madhe

keeler

Afera “Profumo” ishte një nga skandalet më me jehonë në Britaninë e viteve 1960, ku modelja e re, Christine Keeler, u gjend në qendër të vëmendjes për lidhjet e saj me një ministër britanik dhe një spiun sovjetik. Historia përfshinte seks, mashtrime dhe spiunazh në kulmin e Luftës së Ftohtë. Skandali solli dorëheqjen e John Profumos. Keeler, e përndjekur nga mediat, kurrë nuk arriti të shpëtonte nga hija e së kaluarës

“Për 20 vjet mendoj se kam qenë thjesht një emër gazete, kurrë nuk kam pasur mundësinë të them mendimin tim”, i tha Christine Keeler gazetares Sue Lawley në emisionin Nationwide të BBC-së në vitin 1983. Ajo po e  kujtonte skandalin e famshëm politik në të cilin ishte përfshirë dhe e kishte bërë një emër të njohur për publikun: Afera Profumo.

Modelja 21-vjeçare u gjend papritur në qendër të vëmendjes së mediave, kur më 5 qershor 1963, John “Jack” Profumo dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Shtetit për Luftën në Mbretërinë e Bashkuar, pasi pranoi se kishte gënjyer Parlamentin për lidhjen e tij me të. Shtypi shkruante se gjatë marrëdhënies së tyre dy vjet më parë, Keeler kishte qenë njëkohësisht në lidhje edhe me atasheun detar sovjetik, Yevgeny Ivanov, i cili besohej se ishte spiun.

Historia dukej se përmbante gjithçka: seks, valltare skenike dhe klasën e lartë britanike; gënjeshtra, një të shtënë dhe spiunazh të Luftës së Ftohtë. Keeler ishte e papërgatitur për skandalin në të cilin u përfshi, dhe pasojat e të cilit do të luanin një rol në rrëzimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

“Isha një vajzë e paarsimuar dhe kur isha 19 vjeçe, politika për mua ishte diçka krejtësisht përtej fushëveprimit tim”,  i tha ajo BBC-së në vitin 1983. Ndërsa detajet e aferës dolën në dritë, Keeler do të gjendej e ndjekur dhe më pas e përgënjeshtruar nga shtypi i asaj kohe, i cili përcaktonte perceptimin e publikut për atë që ishte.

Keeler kishte kaluar tashmë një jetë të vështirë dhe traumatike të hershme para se të shpërthente afera “Profumo”. E lindur në Uxbridge, Britani e Madhe, në vitin 1942, Keeler u rrit në varfëri pasi babai i saj e la familjen kur ajo ishte fëmijë. Ajo vazhdoi të vuante abuzim seksual si adoleshente nga duart e njerkut të saj dhe miqve të tij. Në moshën 17 vjeçe, ajo mbeti shtatzënë nga një ushtar amerikan. Pasi ai u kthye në Amerikë, ajo u përpoq pa sukses të bënte një abort. Ajo përfundimisht lindi një djalë, i cili vdiq gjashtë ditë më vonë. Pasi e la shkollën në moshën 15 vjeçe pa kualifikime, ajo punoi në fusha të ndryshme si modele dhe kameriere, përpara se të gjente një punë si valltare skenike në “Murray's Cabaret Club” në Soho të Londrës. Aty ajo do të takohej me një modele tjetër, 16-vjeçaren Mandy Rice-Davies, dhe do të miqësohej me burrin që do të vepronte si “porta” e saj drejt elitës së shoqërisë britanike, Stephen Ward. 

Ward ishte një osteopat i suksesshëm në Harley Street, me klientë që përfshinin si anëtarë të aristokracisë ashtu edhe figura të njohura të botës kulturore të fillimit të viteve 1960. Kjo i mundësoi atij të shoqërohej me disa nga njerëzit më me ndikim në vend. Ai kishte gjithashtu një aktivitet dytësor si artist portretesh, shpesh duke skicuar personat me të cilët kishte kontakt, përfshirë bashkëshortin e Mbretëreshës Elizabeth II, Princin Philip, dhe motrën e saj, Princeshën Margaret.

“Stephen ishte vetë një burrë simpatik, inteligjent, dhe fletorja e tij e adresave dukej sikur ishte marrë nga libri ‘Kush është Kush’”, tregoi Mandy Rice-Davies për programin “Witness History” të BBC-së në vitin 2013. “Lista e tij e klientëve përfshinte Liz Taylor, Sophia Loren, gjysmën e aristokracisë angleze. Në mënyrën e vet, ai ishte mjaft i fuqishëm”.

Ward kishte zakon t’i prezantonte mikeshat e tij të reja me burra më të moshuar dhe me pushtet. Pasi u njoh me dy valltaret, ai i mori nën kujdesin e tij, dhe Keeler u shpërngul për të jetuar në banesën e tij. Miqësia e tyre, ndonëse shumë e afërt, mbeti platonike. I lidhur mirë me qarqet elitare, Ward filloi t’i merrte Keelerin dhe Rice-Davies në festa të shtresës së lartë të shoqërisë, ku i prezantonte me miqtë e tij të pasur dhe me ndikim, duke i nxitur ato të krijonin lidhje me ta.

Takimi fatkeq

“Çdokush që takonte Stephenin do ta kuptonte se ai ishte shumë tërheqës dhe i afronte në mënyrë të veçantë njerëzit, dhe unë isha shumë e afërt me të”, tha Keeler për BBC-në. “Mendoj se ai gabonte në qëndrimet e tij, dhe ishte një njeri i keq – deri diku i lig – por nuk e di, unë kujdesesha për të”. Përmes Wardit, Keeler do të kishte takimin e saj fatkeq me Profumon.

Në rrethin e miqve të Wardit ishte edhe ish-deputeti konservator Lord Astor, i cili organizonte rregullisht festa fundjavash në pronën e tij Cliveden në Buckinghamshire. Në një nga këto ngjarje, më 8 korrik 1961, mes mysafirëve të shquar që Lord Astor kishte ftuar ishte Profumo dhe bashkëshortja e tij aktore, Valerie Hobson, e njohur për rolet e saj, si në “Bride of Frankenstein” me Boris Karloff më 1935 dhe në “Great Expectations” të David Lean më 1946.

Ward, i cili kishte marrë me qira një nga shtëpitë e pronës nga Lord Astor, ishte aty me disa miq, përfshirë Keelerin, dhe vendosën të shfrytëzonin pishinën e Clivedenit. “Ne ishim duke notuar të gjithë, përveç Stephenit, sepse ai kurrë nuk notonte, dhe unë kisha marrë një kostum banje që ishte shumë i madh”, tregoi Keeler për BBC Woman’s Hour në 2001. “Stephen tha: ‘Hiqe kostumin e banjës, nëse po ankohesh për të’. Dhe unë e bëra këtë – sepse pothuajse po më binte – dhe e hodha mënjanë. Dhe pastaj Bill Astor dhe Profumo u shfaqën”. Kur pa adoleshenten lakuriq, Profumo, 46 vjeç, u magjeps.

Por në të njëjtën shtëpi qëndronte edhe një mik tjetër i Wardit, Kapiteni Ivanov, një atashe detar në ambasadën ruse në Londër. “Yevgeny ishte një njeri shumë tërheqës. Kam pasur biseda me të për parimet e komunizmit, ishte me të vërtetë një njeri i mirë”,  tha Rice-Davies për BBC-në në vitin 2013.

“Ishte herë pas here kur unë i thosha Stephenit: ‘A është spiun?’ Dhe ai më përgjigjej: ‘O dashuria ime, të gjithë në ambasadën ruse janë spiunë’”.

Keeler më vonë e pranoi se kishte fjetur një herë me rusin, por i tha Lawleyt se nuk kishin pasur një lidhje. “Nuk kam qenë kurrë shumë e afërt me Ivanovin, siç lexohet edhe në librin tim. Kishim një takim mes nesh, por nuk ishim dashnorë. Me Profumon, mirë, mbase isha pak kurioze, sepse ai ishte ministër i luftës, por nuk e kuptoja se sa e rrezikshme ishte situata ngase nga ana ime nuk kishte manipulim”.

Profumo kërkoi numrin e telefonit të saj, por Keeler i tha Woman’s Hour se në fillim u përpoq ta shmangte, duke i thënë: “Pyete Stephenin, sepse unë sigurisht nuk doja që ai të më telefononte. Ishte një burrë më i madh dhe nuk më pëlqente aspak”.

“Por Ward me siguri donte që unë të dilja me Jack Profumon, më bindte ta takoja”, tha Keeler për BBC-në në 1983. Nxitur nga Ward, ajo pranoi të dilte për darkë me politikanin, dhe ata filluan një aferë që zgjati “disa javë, rreth një muaj në maksimum”, para se të përfundonte në mënyrë paqësore.

Ward në gjyq

Thashethemet për lidhjen e tyre qarkullonin në media, por ato mund të mos ishin bërë kurrë publike nëse nuk do të kishte ndodhur një incident jashtë banesës së Wardit në dhjetor të vitit 1962. Në atë kohë, Keeler kishte nisur të shoqërohej me dy burra të tjerë: këngëtarin e jazzit, Aloysius “Lucky” Gordon dhe një kriminel të vogël me emrin Johnny Edgecombe. Të dy kishin të kaluar të dhunshme dhe ishin përfshirë në një grindje xhelozie për Keelerin. Kur ajo i ndërpreu marrëdhëniet me Edgecomben, ai u paraqit jashtë banesës së Wardit dhe kërkoi që ta linin të hynte. Pasi Rice-Davies refuzoi, ai nxori një armë dhe filloi të qëllonte drejt derës. “Thirrëm policinë, dhe policia erdhi, e pas tyre, natyrisht, erdhi edhe media”,  tha Rice-Davies për Witness History më 2013.

Në këtë periudhë të viteve 1960, Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj dhe mediat kishin raportuar shumë raste të spiunazhit. Në vitin 1961, një agjent i Shërbimit Sekret Britanik, George Blake, u zbulua si agjent i Rusisë. Po atë vit, u kapën pesë britanikë që po përpiqeshin të kalonin sekretet qeveritare te Moskova, të njohur si “Rrjeti i Spiunëve të Portlandit”. Pak më parë, një zyrtar i marinës, John Vassall, u detyrua të spiunonte për Rusinë, sepse ishte shantazhuar për shkak të orientimit të tij seksual. Me arrestimin e Edgecombe, mediat u interesuan sërish për thashethemet rreth marrëdhënies së ministrit të luftës dhe mundësinë që Keeler të kishte marrë sekrete nga ai dhe t’i kalonte te Ivanov, agjenti rus.

Ndërsa spekulimet shtoheshin, Keeler u largua për në Spanjë, duke shmangur dëshminë në gjyqin e Edgecombeit; ai më pas u dënua me shtatë vjet burg për posedim armësh me qëllim të rrezikimit të jetës. Por zhdukja e saj vetëm sa nxiti vëmendjen e medias. Në Parlament u ngritën pyetje për akuzat mbi aferën e Profumos dhe implikimet e saj në sigurinë kombëtare. Si përgjigje, sekretari i shtetit për luftën mohoi me forcë para Parlamentit se kishte pasur ndonjë “paqëndrueshmëri” në marrëdhënien e tij me Keelerin.

Pjesëmarrja e Keelerit në një rast tjetër gjyqësor, ku Lucky Gordon akuzohej për sulm ndaj saj, u dha mediave arsye për të nxjerrë gjithnjë e më shumë tituj mbi të dhe Profumon. “Sigurisht që media u çmend”, tha Rice-Davies. “Situata ishte kaq e rëndë për John Profumon saqë ai u detyrua të ngrihej në Dhomën e Komunave dhe të mohojë se kishte takuar ndonjëherë Christine-in, përveç në një rast social ku ishte edhe gruaja e tij – megjithatë media erdhi tek unë për të konfirmuar se ajo kishte pasur këtë aferë me Profumon”.

Dhjetë javë pas mohimit të tyre, Profumo pranoi më në fund se kishte gënjyer Parlamentin dhe dha dorëheqje. Por skandali vazhdoi të kishte jehonë. Disa ditë pas dorëheqjes së Profumos, policia arrestoi Wardin dhe e akuzoi për trafikim grash dhe jetesë nga fitimet e paligjshme. Në gjyq, prokuroria akuzoi Keelerin dhe Rice-Davies si prostituta dhe Wardin si shfrytëzuesin e tyre. Si provë u sollën faktet që gratë herë pas here kishin marrë dhurata nga burrat me të cilët kishin lidhje, dhe se ato i jepnin para Wardit për faturat e energjisë dhe ushqimin gjatë qëndrimit në banesën e tij.

Gjyqi dhe dëshmitë e dëshmitarëve, që zbërthenin jetën seksuale të shtresave të larta të shoqërisë, prodhuan një sasi të madhe lajmesh në shtypin e kohës. Media dhe publiku mbushnin sallën e gjyqit çdo ditë për të parë personazhet e përfshira. Rice-Davies u bë e njohur për frazën që përdori në momentin që i thanë në bankën e dëshmitarëve se Lord Astor mohoi se kishin fjetur së bashku: “Po, normal, a nuk do ta bënte?”

Asnjë nga miqtë e fuqishëm që Ward i kishte afruar me kujdes nuk dëshmoi në mbrojtje të tij.

“Stephen kishte vendosur që nuk mund ta përballonte më situatën, dhe ‘qentë grabitqarë’ ishin të vendosur ta kapnin sërish”,  tha Rice-Davies për BBC-në. 

Ward i dha fund jetës, tri ditë pasi u shpall fajtor. Avokati Geoffrey Robertson QC është një nga ata që tani e konsiderojnë këtë rast një padrejtësi të madhe. Ai argumenton se asnjë nga gratë nuk ishte prostitutë, se Ward në fakt kishte mbështetur financiarisht të dyja nga fitimet e tij si osteopat, dhe se ai ishte viktimë e një fshehjeje nga qeveria. Në vitin 2017, kërkesa për rishqyrtimin e dënimit të Wardit u refuzua, dhe materialet zyrtare nga gjyqi i tij janë të mbyllura dhe nuk do të hapen deri në vitin 2046.

Në hije

Pas vdekjes së Stephen Ward, edhe Christine Keeler pati probleme me ligjin. Në dhjetor 1963, dënimi prej tre vjetësh për Gordonin,  i cili e kishte sulmuar atë, u rrëzua nga Gjykata e Apelit, dhe Keeler u akuzua se kishte gënjyer në gjyq. Ajo kishte fshehur të vërtetën për dy burra që ishin të pranishëm në sulm, duke thënë se nuk ishin aty. Keeler pranoi fajin për dëshmi të rreme dhe u dënua me nëntë muaj burgim në burgun e grave Holloway.

Pas skandalit, kryeministri konservator, Harold Macmillan, urdhëroi një hetim për çështjen Profumo. Raporti i përgatitur nga Lord Denning në shtator 1963 arriti në përfundimin se siguria kombëtare nuk ishte cenuar dhe nuk kishte prova që ministrat kishin lidhje me historitë e sjelljeve seksuale “të neveritshme”. Ani pse raporti kritikoi mënyrën se si qeveria e trajtoi skandalin, fajin më të madh ia hodhi Stephen Wardit, duke e quajtur “plotësisht imoral”. Shumë njerëz e konsideruan raportin si një mbulim të së vërtetës, dhe dokumentet e Lord Denningut për skandalin Profumo nuk janë bërë ende publike. Në vitin 2020, Zyra e Kabinetit vendosi t’i mbajë sekret deri në vitin 2048.

Kjo ngjarje dëmtoi rëndë besueshmërinë e qeverisë së Macmillanit. Kryeministri dha dorëheqjen në tetor 1963, duke përmendur shëndetin e tij të dobët, dhe Partia Konservatore humbi zgjedhjet vitin tjetër. John Profumo nuk u rikthye më në politikë, por kaloi jetën duke bërë punë vullnetare në  një organizatë bamirëse në Londrën lindore. Për kontributin e tij, Mbretëresha ia dha titullin CBE në vitin 1975.

Keeler nuk pati aq fat. Pas daljes nga burgu, ajo pati vështirësi të mëdha për të gjetur punë dhe për të mbajtur veten. Kur foli për BBC-në në vitin 1983 për autobiografinë e saj “Nothing But…” ajo jetonte në një banesë sociale me djalin e saj të vogël dhe mbështetej në ndihmën ekonomike nga shteti.

Pas dy dekadash nën hijen e skandalit Profumo, Keeler i tha gazetarit Sue Lawley se libri ishte një përpjekje për të treguar versionin e saj të historisë:

“Të tjerët kanë shkruar libra me trillime dhe gënjeshtra për jetën time. Mendova se ishte e drejtë që edhe unë të botoja librin tim”.

Ajo botoi pesë libra për jetën e saj, që pasqyronin marrëdhënien e saj të ndërlikuar me skandalin që e bëri të famshme. Një nga librat e saj, “Scandal”, u përdor si bazë për filmin me të njëjtin titull në vitin 1989, ku rolin e saj e luajti aktorja Joanne Whalley.

Douglas Thompson, bashkautor i kujtimeve të saj të vitit 2001 “The Truth at Last”, i tha BBC-së pas vdekjes së saj në vitin 2017:

“Nuk mendoj se ajo mundi ndonjëherë të shpëtonte nga ajo histori – kjo ishte tragjedia e saj. Ajo nuk mundi kurrë të mos ishte Christine Keeler”.