Negociatorët nga Ukraina dhe Rusia pritet të nisnin ditën e dytë të bisedimeve në Gjenevë të mërkurën, teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, thotë se Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion të padrejtë ndaj tij për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare.
Bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Zvicër po zhvillohen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar dy herë ditët e fundit se i takon Ukrainës dhe Zelenskyt të ndërmarrin hapa për të siguruar suksesin e negociatave.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një intervistë për Axios, të publikuar të martën, Zelensky është cituar të ketë thënë se “nuk është e drejtë” që Trumpi vazhdimisht i bën thirrje publike Ukrainës, dhe jo Rusisë, për të bërë lëshime në negociimin e kushteve të një plani paqeje.
Zelensky ka thënë gjithashtu se çdo plan që do të kërkonte nga Ukraina të hiqte dorë nga territore që Rusia nuk i ka pushtuar në rajonin lindor të Donbasit do të refuzohej nga ukrainasit nëse do të vihej në referendum.
“Shpresoj që kjo të jetë vetëm taktikë e tij dhe jo një vendim”, ka cituar Axios fjalët e Zelenskyt në intervistë.
Mirëpo ai e ka falënderuar sërish Trumpin për përpjekjet e tij për paqe dhe i ka thënë Axios se bisedat e tij me negociatorët e lartë amerikanë, të dërguarin Steve Ëitkoff dhe dhëndrin e presidentit, Jared Kushner, nuk përfshinin të njëjtin lloj presioni.
Takimi në Gjenevë pason dy runde bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa një përparim të madh, pasi palët mbetën larg njëra-tjetrës në një nga çështjet kryesore, që është kontrolli i territorit në Ukrainën lindore.
Ndërkohë, herët të mërkurën, Ëitkoff ka thënë se përpjekjet e Trumpit për të sjellë Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve po jepnin fryte.
“Suksesi i presidentit Trump në bashkimin e të dyja palëve të kësaj lufte ka sjellë përparim domethënës dhe ne jemi krenarë të punojmë nën udhëheqjen e tij për të ndalur vrasjet në këtë konflikt të tmerrshëm”, ka shkruar ai në X.
Përfundojnë bisedimet në Gjenevë, pala ruse i quan “të vështira”
Bisedimet e paqes në Gjenevë të cilat të mërkurën ishin në ditën e dytë, kanë përfunduar.
Agjencia Reuters ka cituar një zyrtar ukrainas të ketë thënë se bisedimet kanë zgjatur rreth dy orë.
Ndërkaq kryenegociatori kryesor i Moskës, Vladimir Medinsky, ka deklaruar pas përfundimit të tyre se bisedimet ishin “të vështira” por se ato do të vazhdojnë “së shpejti”.
“Negociatat zgjatën dy ditë: shumë gjatë dje në formate të ndryshme, dhe rreth dy orë sot. Ishin të vështira, por profesionale”, është cituar të ketë thënë ai.
Medinsky ka shtuar se takimi i radhës do të mbahet së shpejti.