Botë

Starmer: Njerëzit nuk do të lejohen të punojnë në Britani pa kartë biometrike

Keir Starmer

Qytetarët britanikë dhe banorët e përhershëm do të duhet të paraqesin një kartë identiteti të detyrueshme biometrike për të gjetur punë, njoftoi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Starmer ka thënë se plani do të ndihmojë në uljen e imigracionit të paligjshëm duke e bërë më të vështirë për njerëzit të punojnë në ekonominë informale.

Sipas qeverisë britanike ky sistem gjithashtu do ta bëjë më të thjeshtë për njerëzit qasjen në kujdesin shëndetësor, mirëqenien, kujdesin për fëmijët dhe shërbime të tjera publike.

Starmer njoftoi se personat të cilët nuk posedojnë një kartë identiteti biometrike nuk do të kenë mundësi të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka thënë se sistemi i ri i identitetit do të jetë në fuqi para zgjedhjeve të ardhshme, të cilat pritet të mbahen në vitin 2029.

Britania nuk ka pasur karta identiteti të detyrueshme për qytetarët e zakonshëm që pas Luftës së Dytë Botërore, dhe ideja ka qenë prej kohësh e diskutueshme, me aktivistët e të drejtave civile që argumentojnë se ajo shkel lirinë personale dhe vë në rrezik informacionin e njerëzve.