Aktualisht, luftimet mes Izraelit dhe Iranit duken të kufizuara vetëm brenda dy shteteve. Shtetet anembanë kanë bërë thirrje për përmbajtje.
Por, çfarë nëse ato bien në vesh të shurdhët? Çka nëse luftimet përshkallëzojnë dhe zgjerohen?
Disa skenarë të mundshëm, në rastet më të këqija.
Amerika përfshihet
Pavarësisht të gjitha mohimeve të SHBA-së, Irani beson qartë se forcat amerikane i kanë mbështetur, qoftë edhe në heshtje, sulmet e Izraelit.
Irani mund t’i sulmojë caqet amerikane përreth Lindjes së Mesme – të tilla si kampet e forcave speciale në Irak, apo misionet diplomatike në rajon. Grupet mbështetëse si Hamasi dhe Hezbollahu mund të jenë zvogëluar, por militantët e tyre në Irak mbeten të armatosur.
SHBA-ja pati frikë se sulme të tilla ishin të mundshme dhe tërhoqi personelin e saj. Në mesazhin publik, SHBA-ja paralajmëroi Iranin se do të përballej me pasoja në rast sulmi mbi caqe amerikane.
Çfarë mund të ndodhë nëse një shtetas amerikan vritet, për shembull në Tel Aviv ose diku tjetër?
Presidenti Donald Trump mund të detyrohet të veprojë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, për gjatë është akuzuar se ka dashur ta përfshijë SHBA-në që ta ndihmojë në mposhtjen e Iranit.
Analistët ushtarakë thonë se vetëm SHBA-ja ka bombarduesit që mund të depërtojnë në thellësitë e objekteve bërthamore iraniane, veçanërisht atë të Fordoëit.
Nëse Amerika do të bëhej luftues aktiv, kjo do të përbënte përshkallëzim të madh me një sërë pasojash afatgjate dhe shkatërruese.
Shtetet e Gjirit Persik përfshihen
Nëse Irani dështon t’i dëmtojë caqet e mbrojtura mirë ushtarake të Izraelit, atëherë mund t’i kthejë raketat kah objektiva të tjerë në Gjirin Persik, posaçërisht vendet që Irani beson se i kanë ndihmuar dhe mbështetur armiqtë e tij përgjatë vitesh.
Ka shumë objektiva në energji dhe infrastrukturë në rajon. Irani qe akuzuar për sulmin mbi zonat e naftës në Arabinë Saudite më 2019 dhe Houthit, grup i mbështetur nga ai, goditi objektiva në Emiratet e Bashkuara Arabe më 2022.
Që nga atëherë ka pasur njëfarë pajtimi mes Iranit dhe disa shteteve në rajon.
Por, këto shtete kanë baza ajrore amerikane. Disa – në mënyrë diskrete – ndihmuan në mbrojtjen e Izraelit nga sulmi me raketa i Iranit vitin e kaluar.
Nëse Gjiri Persil sulmohet, atëherë mund të kërkojë po ashtu avionët luftarakë amerikanë t’i shkojnë në mbrojtje ashtu si edhe ata të Izraelit.
Izraeli dështon t’i shkatërrojë kapacitetet bërthamore të Iranit
Çka nëse sulmet e Izraelit dështojnë? Çka nëse objektet bërthamore të Iranit janë shumë thellë, shumë mirë të mbrojtura? Çka nëse 400 kilogramët e 60% të uraniumit të tij të pasuruar nuk shkatërrohet?
Mendohet se mund të jetë i fshehur shumë thellë. Izraeli mund t’i ketë vrarë disa shkencëtarë, por asnjë bombë nuk mund t’i shkatërrojë njohuritë dhe ekspertizën e Iranit.
Çka nëse sulmi i Izraelit e bind lidershipin e Iranit se e vetmja formë për ndalimin e sulmeve të mëtejme është të garojnë për kapacitetet bërthamore sa më shpejt të jetë e mundur?
Çka nëse liderët e rinj ushtarakë janë më kokëfortë dhe më pak të matur se paraardhësit e tyre të vdekur?
Në fund, kjo mund ta detyrojë Izraelin për sulme të tjera, potencialisht duke e futur rajonin në një rreth të vazhdueshëm sulmesh e kundërsulmesh.
Ka një tronditje ekonomike globale
Çmimi i naftës veçse po ngritët.
Çka nëse Irani përpiqet ta mbyllë Ngushticën e Hormuzit, duke kufizuar lëvijen e naftës?
Çka nëse Houthit në Jemen forcojnë përpjekjet për të sulmuar anijet në Detin e Kuq? Houthit janë aleati i vetëm i mbetur i Iranit me potencial rreziku të paparashikueshëm.
Shumë shtete në botë tashmë po e vuajnë krizën. Ngritja e çmimit të naftës do ta përkeqësonte inflacionin në sistemin ekonomik edhe ashtu të rënduar nga tarifat e Trumpit.
I vetmi njeri që do të përfitonte nga rritja e çmimit të naftës do të jetë presidenti rus, Vladimir Putin, i cili do të shihet miliarda dollarë të rridhnin në arkat e Kremlinit.
Regjimi i Iranit bie, duke lënë një vakum
Çka nëse Izraeli ka sukses synimin e tij për rrëzimin e regjimit në Iran?
Netanyahu pretendon se synimi parësor është shkatërrimi i kapaciteteve bërthamore të Iranit. Por, ai e ka bërë të qartë se në qëllimet e tij përfshihet ndërrimi i regjimit.
Ai i tha “popullit krenar të Iranit” se sulmet e tij po “pastrojnë rrugën për ju që të arrini lirinë”.
Rrëzimi i qeverisë iraniane mund t’u pëlqejë disave në rajon, veçanërisht izraelitëve. Por, çfarë vakumi mund të lë kjo? Çfarë pasojash të paparashikuara do të ketë? Si do të dukej konflikti civil në Iran?
Shumë varet nga ajo se si do të rrjedhë kjo luftë në ditët në vijim.
Si dhe sa rëndë do të hakmerret Irani? Dhe çfarë kontrolli mund të ushtrojë SHBA-ja ndaj Izraelit?
Nga përgjigja për këto dy pyetje varet shumëçka.