Botë

Sulmet ruse shënjestrojnë sistemin energjetik të Ukrainës

Ukraine

Në qendër të Kharkivit dëgjohen zhurmat e gjeneratorëve në çdo rrugë.

Dhjetë ditë më parë, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës u zhyt në errësirë nga një sulm masiv me raketa ruse të cilat cak kishin sistemin energjetik. Sulm ky që konsiderohet të jetë më i madhi që nga fillimi i luftës.

Ndërsa Kharkivi po punon për ta rikthyer sistemin e energjisë, sulmet të cilat kanë synim po këtë sistem, nuk po ndalen.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka dënuar sulmet duke i quajtur “terrori raketor” i Rusisë.

Zelensky ka përsëritur gjithashtu thirrjet e tij drejtuar aleatëve të vendit të tij për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.

Autoritetet në Odesa në Detin e Zi në jug të vendit thonë se sistemi energjetik atje u godit gjatë natës, me raketa dhe dronë, duke shkaktuar ndërprerje të pjesshme.

Në Kharkiv në veri, dëmi është më serioz.

Kryetari i bashkisë së Kharkiv, Igor Terekhov, ka thënë se do të duhen javë për të rivendosur furnizimin e plotë dhe kjo ndodh nëse forcat e armatosura të Rusisë nuk godasin përsëri të njëjtat objektiva.

Sulmi fillestar në furnizimin me energji të qytetit madje rrëzoi sirenën e sulmit ajror. Tani ka një zhurmë kërcitëse që vjen direkt në telefonat celularë të njerëzve.

Të shtunën në mbrëmje, shpërthimet dëmtuan dhjetëra dritare në një bllok banesash.

Por rusët kanë synuar gjithnjë e më shumë rrjetin elektrik.

“Dëmi është shumë serioz”, tha Terekhov për BBC.

“Ne kemi nevojë për kohë për ta riparuar atë”, shtoi ai, duke sugjeruar se mund të duhen disa muaj për këtë.

Ministria ruse e mbrojtjes konfirmon se sulmet e saj të fundit janë fokusuar në furnizimin me energji elektrike të Ukrainës. Qëllimi, sipas kësaj ministrie, është të pengojë punën e industrisë së mbrojtjes së vendit dhe pretendon se “të gjitha qëllimet e goditjes u arritën”

Ministria ka një histori të gjatë dezinformimi.

Por kryebashkiaku i Kharkivit tha se sektori i prodhimit të qytetit, i cili kërkon energji të konsiderueshme, është prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Ndikimi në jetën civile është më i dukshëm.

Banorët e Kharkivit edhe ashtu kanë pasur reduktime të energjisë elektrike me qëllim për ta kursyer atë.

Të shtunën këto ndërprerje të energjisë zgjatën gjashtë orë, por deri të dielën ato ishin reduktuar në katër orë.

Kohët mund të ndryshojnë.

Një sallon flokësh në një rrugë në Kharkiv është një nga shumë biznese të vogla me një gjenerator, zhurma e të cilit dëgjohet larg. Të shtunën ishte ndezur për shtatë orë, duke e lejuar sallonin të vazhdonte të funksiononte.

E njëjta gjë vlen edhe për kafenetë dhe kompanitë në të gjithë qendrën e qytetit.

Rusia ka sulmuar rrjetin elektrik të Ukrainës edhe më parë, në dimrin e parë kur nisi lufta.

Ndërsa inxhinierët përpiqeshin të kryenin riparime emergjente atëherë, banorët dridheshin në errësirë në shtëpitë e tyre.

Ndryshe nga atëherë, tash është shumë më ngrohtë, ani pse ndikimi mbetet i njëjtë.

Është shumë më ngrohtë tani, por ndikimi është ende i rëndësishëm, pasi që kur bie nata, zona të tëra të Kharkivit mbeten të errëta.