Botë

Sulmet ukrainase në Rusi kanë dështuar t’i ndalojnë forcat ruse në Ukrainë, thotë Putini

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të enjten se inkursioni i Ukrainës në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë ka dështuar në ngadalësimin e përparimit rus në Donbas dhe ka dobësuar vetë mbrojtjen e Ukrainës përgjatë vijës së frontit.

Teksa ka folur në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok të Rusisë, Putini ka thënë se forcat ruse po i shtyjnë ushtarët ukrainas nga Kursku, ku ata filluan sulmin më të madh të huaj ndaj Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, më 6 gusht, raporton Reuters.

Sipas tij, duke transferuar një numër të madh njësish të trajnuar mirë në rajonin kufitar të Rusisë, Ukraina vetëm ka dobësuar mbrojtjen e saj dhe ia ka mundësuar Rusisë të përshpejtojë përparimin e saj në Ukrainën lindore.

“Qëllimi i armikut ishte të na bënte nervoz dhe të shqetësuar dhe të transferonte trupa nga një sektor në tjetrin dhe të ndalonte ofensivën tonë në zonat kryesore, kryesisht në Donbas. A funksionoi? Jo.

Duke transferuar njësi mjaft të mëdha dhe të stërvitura mirë në këto zona kufitare me ne, armiku u dobësua në zonat kryesore dhe trupat tona përshpejtuan operacionet sulmuese”, është shprehur Putini. 

Putin, i cili urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ka shtuar se situata është stabilizuar dhe se Rusia po fillon t’i largojë trupat ukrainase nga Kursku.

Qëllimi kryesor i Rusisë, sipas tij ishte të merrte Donbasin në tërësi, teksa ka shtuar se forcat ruse po merrnin pjesë të territorit në Ukrainën lindore më shpejt se kurrë, dhe se ritmet e rekrutimit po rriteshin në Rusi.

"Asnjë veprim nuk po bëhet për të frenuar ofensivën tonë”, është shprehur presidenti rus.

LEXO EDHE: