Autoritetet ruse kanë njoftuar të martën se një sulm ukrainas me dronë ka shënjestruar Moskën për natën e dytë me radhë.
Të katër aeroportet e mëdha të kryeqytetit rus janë mbyllur për disa orë për shkaqe të sigurisë, ndonëse u rihapën më vonë, ka raportuar BBC.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobianin, ka shkruar në rrjete sociale se të paktën 19 dronë ukrainas janë shkatërruar para se të arrinin qytetin.
Kievi zyrtar ende nuk ka komentuar rreth këtij sulmi të pretenduar.
Nga ana tjetër, kryetari i Harkivit, ka bërë të ditur se Rusia gjithashtu ka ndërmarrë sulme me dronë në drejtim të Ukrainës, ndërkaq sulme janë raportuar edhe në zonën afër Kievit.
Është nata e dytë radhazi që Rusia ka kumtuar për sulme me dronë nga Ukraina.
Të hënën, ministria ruse e Mbrojtjes pati njoftuar se kishte shkatërruar 26 dronë ukrainas brenda natës.