Botë

Tajlanda dhe Kamboxhia nënshkruajnë marrëveshje të zgjeruar armëpushimi, në prani të Trumpit

Trump

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë nënshkruar të dielën një marrëveshje të zgjeruar armëpushimi gjatë një ceremonie ku mori pjesë presidenti amerikan Donald Trump, i cili me kërcënimet për masa ekonomike kishte shtyrë të dy vendet që më herët gjatë këtij viti të ndalonin përleshjet përgjatë kufirit të tyre të kontestuar.

Sipas fazës së parë të marrëveshjes, Tajlanda do të lirojë të burgosurit kamboxhianë, ndërsa Kamboxhia do të fillojë tërheqjen e artilerisë së rëndë. Vëzhgues rajonalë do të monitorojnë situatën për të siguruar që përleshjet të mos rifillojnë.

“Kemi bërë diçka që shumëkush mendonte se nuk mund të bëhej,” ka deklaruar Trump. Kryeministri kamboxhian Hun Manet e ka quajtur këtë një “ditë historike”, ndërsa kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul ka thënë se marrëveshja krijon “themelet për një paqe të qëndrueshme.”

Ceremonia ishte aktiviteti i parë i Trumpit pas mbërritjes në samitin vjetor të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), i cili po mbahet në Kuala Lumpur. Udhëtimi i tij, që përfshin edhe vizita në Japoni e Korenë e Jugut, si dhe një takim të mundshëm me liderin kinez Xi Jinping, shihet si përpjekje për të forcuar imazhin e tij si negociator ndërkombëtar, në një kohë kur tarifat tregtare të vendosura prej tij kanë trazuar ekonominë globale, ndërsa në SHBA ai përballet me përplasje me demokratët rreth mbylljes së qeverisë.