Qeveria talebane të dielën ka kundërshtuar përpjekjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të rimarrë Bazën Ajrore të Bagramit, katër vjet pasi tërheqja kaotike e Amerikës nga Afganistani e la objektin e madh ushtarak në duart e talebanëve.
Nuk është e qartë se çfarë bisedash kanë pasur SHBA-ja me zyrtarët afganë në lidhje me kthimin në vend. Por Trumpi ka lënë të kuptohej se talebanët, të cilët kanë luftuar me një krizë ekonomike, legjitimitet ndërkombëtar, përçarje të brendshme dhe grupe militante rivale që nga kthimi i tyre në pushtet në vitin 2021, mund të jenë të hapur për të lejuar ushtrinë amerikane të kthehet, raporton AP.
Zëdhënësi kryesor i talebanëve, Zabihullah Mujahid, ka hedhur poshtë pohimet e Trumpit dhe i ka kërkuar SHBA-së të ketë një politikë "realizmi dhe racionaliteti".
“Afganistani kishte një politikë të jashtme të orientuar drejt ekonomisë dhe kërkonte marrëdhënie konstruktive me të gjitha shtetet në bazë të interesave të ndërsjella dhe të përbashkëta”, ka shkruar Mujahid në X.
Ai ka thënë se SHBA-së i ishte komunikuar vazhdimisht në të gjitha negociatat dypalëshe se pavarësia dhe integriteti territorial i Afganistanit ishin me rëndësi të madhe.
“Duhet të kujtojmë se, sipas Marrëveshjes së Dohas, Shtetet e Bashkuara u zotuan se ‘nuk do të përdorin ose kërcënojnë forcën kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të Afganistanit, as nuk do të ndërhyjnë në punët e tij të brendshme’”, ka shtuar ai.
Në gusht të vitit të kaluar, talebanët festuan përvjetorin e tretë të marrjes së kontrollit në Bagram me një shfaqje madhështore ushtarake të pajisjeve të braktisura amerikane, duke tërhequr vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi e ka kritikuar vazhdimisht paraardhësin e tij, Joe Biden, për "paaftësinë e tij të madhe" gjatë tërheqjes së forcave amerikane pas luftës më të gjatë të vendit.