Enrique Tarrio, ish-lider i grupit të djathtë ekstrem “Proud Boys”, që përkrahu Donald Trumpin duke organizuar trazirat në Capitol të Washingtonit, është dënuar me 22 vjet burgim. Ai është në mesin e disa anëtarëve ndaj të cilëve gjykata ka shqiptuar dënime duke filluar nga 10 vjet burgim.
Ish-lideri i grupit të djathtë ekstrem në SHBA, “Proud Boys”, Enrique Tarrio, është dënuar me 22 vjet burgim për orkestrimin e trazirave në Capitol të Washingtonit më 6 janar të vitit 2021.
Ky është dënimi më i lartë i shqiptuar në lidhje me sulmin, i cili ka ndodhur teksa ligjvënësit amerikanë po certifikonin fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale. Tarrio nuk ishte në Washington gjatë trazirave, por ndihmoi në organizimin e përfshirjes së grupit në këtë trazirë.
Gjatë hetimeve në lidhje me trazirat, Departamenti i Drejtësisë ka arrestuar 1 mijë e 100 persona.
Protestuesit kishin shprehur përkrahjen për presidentin e atëhershëm, Donald Trump, i cili po vazhdon të mohojë humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Ai ka premtuar se do të falë shumicën e protestuesve në rast se zgjidhet president në vitin 2024.
Tarrio është shpallur fajtor për konspiracion për rrëzim të qeverisë. Ai ka qenë në burg që prej arrestimit të tij në vitin e kaluar.
Prokuroria e ka përshkruar Tarrion si lider karizmatik dhe propagandues i rryer që ishte kryesori në organizimin e trazirave.
Teksa përkrahësit e Trumpit ia kishin mësyrë objektit të Capitolit, Tarrio nëpër rrjete sociale kishte shkruar se po i pëlqente spektakli.
“Bëjeni atë që duhet bërë”, u kishte bërë thirrje protestuesve më 6 janar të vitit 2021.
Gjykatësi Timothy Kelly ka thënë se Tarrio kishte nisur planifikimin e sulmit në Capitol në dhjetorin e vitit 2020 dhe kishte krijuar një strukturë komanduese.
“Tarrio ishte lideri kryesor, personi kryesor i organizimit, i cili ishte i motivuar nga zelli revolucionar”, ka thënë gjykatësi Kelly. “Nuk ka asnjë treguar se ai është penduar për gjërat e vërteta për të cilat është dënuar”, ka shtuar ai.
Para se të mësonte për fatin e tij, Tarrio emocional u ka kërkuar falje policisë dhe qytetarëve të Washingtonit për rolin e tij në trazira. “Jam i turpëruar dhe i zhgënjyer që veprimet shkaktuan pikëllim dhe vuajtje. Më duhet të jetoj me këtë turp për krejt jetën”, ka thënë Tarrio.
Tarrio, i cili mbante uniformën portokalli për të burgosurit ka shtuar se “unë jam armiku më i keq i vetes. Mendjemadhësia ime më bindi se unë isha viktimë dhe padrejtësisht isha cak”.
Duke e konfirmuar se Trumpi humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, Tarrio ka thënë se nuk është fanatik politik dhe se nuk mendonte se ishte i mundur ndryshimi i rezultateve të zgjedhjeve.
“Ju lutem kini mëshirë. Po ua kërkoj që të mos m’i merrni 40-at e mia nga unë”, ka thënë Tarrio para gjykatës.
Tarrio ishte drejtor kombëtar i grupit “Proud Boys”. I themeluar në New York në vitin 2016, grupi krenohej si klub i burrave që konsumojnë alkool. Anëtarët e grupit e shihnin veten si këmbësoria e Trumpit dhe shpesh ishin të përfshirë në përleshjet me aktivistët e krahut të majtë ekstrem.
Avokatët e Tarrios në gjykatë kanë thënë se klienti ishte “ninxha i tastierës” dhe “patriot i kequdhëzuar”, i cili shpesh “fliste kot”, por nuk kishte për qëllim të rrëzonte qeverinë.
Mirëpo gjykatësi Kelly ka thënë se Tarrio në disa raste nuk kishte shprehur pendim për veprimet e tij. Në muajin maj ishte shpallur fajtor për pengim të drejtësisë, konspiracion, mosbindje civile dhe shkatërrim të pronës qeveritare.

Pendimi i kryeorganizatorit
Veprimet e tij prokurorët i kanë cilësuar si “akte të llogaritura mirë politike” që e meritojnë dënimin me 33 vjet burgim. Ndërkaq mbrojtja kërkonte jo më shumë se 15 vjet.
Tarrio ka qëndruar në heshtje teksa i është shqiptuar dënimi. Kur është shoqëruar jashtë sallës së gjykatës, Tarrio ka përshëndetur familjen dhe ka ngritur dy gishtat e fitores. Avokatët e tij kanë thënë se ai planifikon të apelojë vendimin e gjykatës.
E marta ishte episodi i fundit i serisë së dënimeve ndaj udhëheqësve të trazirave në Capitol. Deri më tani, dënimi afatgjatë ishte 18-vjet burgim i shqiptuar për anëtarin tjetër Ethan Nordean ndërkaq në maj u dënua edhe Steward Rhodes, themelues i milicisë së djathtë ekstreme “Oath Keepers”. Javën e kaluar tre anëtarë të tjerë të “Proud Boys” janë dënuar me burgim për rolin e tyre në trazira. Ish-marinsi amerikan Dominic Pezzola është dënuar me dhjetë vjet burgim, nderka Zachary Rehl me 15 vjet. Veterani i ushtrisë Joe Riggs është dënuar me 17 vjet burgim.
Aktakuzat ndaj protestuesve kanë dalluar nga njëra-tjetra. Kanë filluar për krimet më të vogla siç janë hyrja në zonë të ndaluar, shkatërrim të pronës shtetërore, sulm dhe konspiracion. Deri më tani janë dënuar 200 persona.
Hetimet janë duke vazhduar dhe FBI-ja është në kërkim të 14 personave të cilët janë parë në videot e trazirave.