Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se e sheh si të papranueshme dhe si mungesë respekti faktin që të dërguarit amerikanë Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner kanë vizituar Moskën pa shkuar më parë në Kiev.
Sipas tij, të dy zyrtarët kanë shkuar në kryeqytetin rus në fund të vitit të kaluar, kur bisedimet për armëpushim në luftën në Ukrainë po merrnin hov, dhe sërish në janar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoWitkoff, i cili ka vizituar Moskën tetë herë, është takuar disa herë me presidentin rus, Vladimir Putin. Megjithatë, as ai dhe as Kushner nuk e kanë vizituar kurrë Kievin në cilësi zyrtare.
“Është mungesë respekti që ata të shkojnë në Moskë dhe të mos vijnë në Kiev, thjesht mungesë respekti”, ka deklaruar Zelensky në një intervistë për një media ukrainase.
“E kuptojmë që logjistika është e ndërlikuar… Nëse nuk duan të vijnë, mund të takohemi edhe në vende të tjera”, ka shtuar ai.
Më herët në prill, Zelensky kishte deklaruar se të dy po planifikonin një vizitë në Ukrainë, por ajo nuk u realizua për shkak të përshkallëzimit të tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Tani ata ndodhen të përfshirë në bisedime për armëpushim në Pakistan, ndërsa vëmendja e SHBA-së është zhvendosur drejt Lindjes së Mesme.
Zelensky e ka pranuar se fokusimi i SHBA-së është aktualisht aty, por ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me amerikanët.
“Por në çdo rast, për ne është e rëndësishme të vazhdojmë bashkëpunimin me amerikanët”, ka thënë ai.
Bisedimet për armëpushim u intensifikuan në vjeshtën e vitit 2025, kur u bë e ditur se zyrtarë rusë dhe amerikanë kishin punuar mbi një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili përfshinte disa kushte që nuk ishin të favorshme për Kievin. Ukraina kërkoi të përfshihej në këto negociata dhe u zhvilluan disa takime e samite.
Deri në shkurt, si Moska ashtu edhe Kievi deklaruan se kishin arritur një marrëveshje për disa “çështje ushtarake”, përfshirë vijën e frontit dhe monitorimin e armëpushimit. Megjithatë, mbeten ende disa çështje të pazgjidhura, si kërkesa e Ukrainës për kthimin e fëmijëve të deportuar me forcë nga Rusia dhe këmbëngulja e Moskës për “ndryshim regjimi” në Kiev.
Çështja kryesore mbetet statusi i rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore. Kërkesa e Rusisë për territor ukrainas në këmbim të paqes është e papranueshme për Kievin, dhe asnjëra palë nuk po lëshon pe, duke e lënë procesin e negociatave në një ngërç.
“Ne po kërkojmë një kompromis midis dy qëndrimeve krejtësisht të kundërta”, pati thënë në shkurt shefi i shtabit të Zelenskyt, Kyrylo Budanov. “Deri tani nuk e kemi gjetur”.
Lufta, e cila filloi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, është bërë realitet i përditshëm për ukrainasit për më shumë se katër vjet. Pjesë të mëdha të Ukrainës lindore janë nën kontrollin rus, ndërsa luftimet vazhdojnë përgjatë një vije të gjatë fronti nga Luhansku në verilindje deri në Kherson në jug.
Qytetet ukrainase përballen rregullisht me sulme ajrore, ku Rusia përdor qindra dronë dhe raketa që shkaktojnë viktima civile dhe dëme në infrastrukturë.
Vetëm javën e kaluar, Rusia ka lëshuar më shumë se 700 dronë dhe raketa në disa valë sulmesh, duke vrarë të paktën 18 persona. Ndërkohë, Ukraina ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke e sulmuar atë me dronë me rreze të gjatë veprimi, duke goditur porte, fabrika, depo dhe terminale nafte thellë brenda territorit rus.