Botë

Tmerri në Gaza në sytë e një mjeku

Kur ai është jashtë punës, Mahmudi shqetësohet për gruan dhe gjashtë fëmijët e tij ashtu siç shqetësohen ata për të. Kur bombardimi është i rëndë, ai përpiqet të telefonojë çdo orë. Por komunikimi telefonik është i vështirë.

Trupat e pajetë të fëmijëve u nxorën nga gërmadhat. Tendat ishin të mbushura me të vdekurit e mbështjellë me qefinë. Ndërtesat e rrafshuara nga forca shkatërruese e sulmeve ajrore. Mahmoud Badawi e pa me sytë e tij njerëzimin e bërë shkrumb e hi.

“Ka shumë situata të vështira”, ka theksuar ai. Si shofer ambulance duhet të mësohesh me atë që po ndodh. Qofshin duar, koka ose trup që janë prerë... jemi mësuar me këtë”.

Autoambulanca e tij lëviz sa në një skenë kërdie në tjetrën. Në një rrugicë të ngushtë në Gaza ndalon për t’i marrë trupat e dy fëmijëve të goditur nga sulmi ajror. Një burrë i afrohet me një pako që mbante në krah. Është një djalë, që ishte plagosur goxha rëndë.

Ai thërret mikun e tij, i cili po i ndihmonte punonjësit e urgjencës në ngarkimin e viktimave, duke i kërkuar atij të kujdeset më shumë për djalin.

“Nasser, koka e tij është çarë”.

Megjithatë, Mahmoud ruan qetësinë e tij. Nuk është se është aq i pandjenja sa të mos reagojë nga krejt ajo çka sheh, mirëpo duhet të fokusohet në ata që mund t’i shpëtojë. Gjersa flet me një gazetar të BBC-së, dëgjohet zhurma e një rakete që shpërthen.

“Nuk ndalojmë për të pushuar me krejt këto që po ndodhin. Situata është shumë e keqe”, ka rrëfyer ai.

“Tani po përpiqemi të gjejmë zonën që është bombarduar për të arritur te të lënduarit dhe të vdekurit”.

I pyetur për situatën me furnizimet mjekësore, Mahmoud përgjigjet me zë të trishtë:

“Gjithçka po harxhohet”.

Image
Gati 40 për qind e palestinezëve të vrarë në Gaza raportohet se janë fëmijë

Sipas autoriteteve shëndetësore të udhëhequra nga Hamasi në Gaza, më shumë se 6 mijë palestinezë janë vrarë në dy javët e fundit. Afro 40% raportohet të jenë fëmijë.

OKB-ja ka paralajmëruar se afro një e treta e spitaleve dhe dy të tretat e qendrave të kujdesit shëndetësor parësor është dashur të mbyllen, “shkaku i dëmtimit të objekteve nga armiqtë ose mungesës së karburantit”. Ajo ka njoftuar se rezervat e karburantit po mbarojnë dhe se do të duhet të bëhen “zgjedhjet e vështira” se cilave shërbime duhet t’i jepet përparësi në ditët në vijim.

Izraeli refuzon të lejojë karburant në Rripin e Gazës, sepse thotë se furnizimet mund të merren nga Hamasi. Ai gjithashtu thotë se organizata e Hamasit po grumbullon karburant.

Në Gaza, ditët dhe netët janë të njëjta. Lufta është e vazhdueshme dhe në këtë copë toke të vogël - sipërfaqja totale e tokës është vetëm 365 kilometra katrorë - ndihet kudo.

Izraeli ka urdhëruar rreth një milion banorë në gjysmën veriore të Gazës që të evakuohen në jug. Thotë se kjo është për të mundësuar forcat e saj ta shkatërrojnë Hamasin. Por ka sulme ajrore të vazhdueshme izraelite në jug të Gazës, ku mijëra janë arratisur.

“Nëse do largohemi; ku të largohemi; ku të strehohemi nëse largohemi – çdo ditë dhe natë, zgjedhjet në Gaza janë të tmerrshme”, thotë ai.

As për punonjësit e urgjencës nuk ka vend të sigurt.

Kur ai është jashtë punës, Mahmudi shqetësohet për gruan dhe gjashtë fëmijët e tij ashtu siç shqetësohen ata për të. Kur bombardimi është i rëndë, ai përpiqet të telefonojë çdo orë. Por komunikimi telefonik është i vështirë.

“Lidhja me familjen është shumë e vështirë. Ne mezi kemi shërbim që të mund të telefonojmë dhe të dimë nëse janë mirë apo jo”.

Mahmoud ka punuar shumë për të rritur një familje me aspirata të forta për t’i shërbyer shoqërisë. Ai është krenar për fëmijët e tij. Ka një vajzë që studion për mjeke. Ajo është frymëzuar nga puna e babait të saj dhe përvoja e saj e luftës në Gaza si fëmijë. Ka edhe një djalë që është infermier. Dhe një tjetër që është kualifikuar si mësues.

Kur bie terri ka një qetësi në bombardime. Mahmud ndalon dhe qëndron mes ambulancës së tij dhe një grumbulli rrënojash. Ai mban një barelë në dorën e majtë, në pritje të urgjencës së radhës. Adrenalina ulet. Është për pak kohë i palëvizshëm dhe sytë e tij vështrojnë diku larg. Janë të mbushur me trishtim për gjithçka që kanë parë deri tash.

Përktheu: Blerta Haxhiu