Pak pasi kritikoi dy shtetet për shkeljen e armëpushimit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Izraeli është pajtuar të mos e godasë më Iranin.
“Izraeli nuk do ta sulmojë Iranin”, ka shkruar ai në TruthSocial. “Të gjithë aeroplanët do të kthehen mbrapa me një valë përshëndetëse miqësore për Iranin. Askush s’do të lëndohet. Armëpushimi është në fuqi. Ju faleminderit”.
Ai ka publikuar mesazhin nga AirForce One, me të cilin është nisur drejt Samitit të liderëve të NATO-s në Hagë.
Reagimi erdhi pasi dy shtetet shkelën marrëveshjen e dakorduar e që ishte shpallur nga vetë Trumpi. Presidenti amerikan u shpreh i pakënaqur me sjelljet e Iranit dhe Izraelit teksa u kërkoi respektim të menjëhershëm të marrëveshjes.
