Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Ekonomista plot, ekonomi hiç

Nëse kjo qeveri beson se Kosova duhet ta etatizojë ekonominë dhe krejt segmentet e tjera që e bëjnë shoqërinë, le të na tregojë – ta dimë se sektori privat duhet të vdesë, dhe krejt duhet t’i mbetet shtetit nën kontroll. Të bëhemi diçka si Kuba, e të mbesim nën mëshirën e dikujt që mund ta na stërshesë rrymën, artikullin më të rëndësishëm, atëherë kur të mbetemi pa të. E që nuk do të kemi çfarë të hamë, ajo pak do të jetë me rëndësi

Përmbajtja nga euforia që e kisha përmendur në shkrimin e shkuar zgjati vetëm edhe një ditë. Tashmë të hënën, e sidomos të martën, u shndërruam në një grumbull të dehurish virtualë që në vend të ecjes fluturonim mbi tokë. U krijua një atmosferë, sa e paharrueshme, aq edhe e stërngarkuar që për rezultat e pati humbjen e Kosovës ndaj Turqisë, në ndeshjen më të rëndësishme ta ketë luajtur ndonjëherë Kosova.

Interesante qe analiza e mikut tim “Tolit” i cili pak a shumë tha si vijon: arsyeja se përse Kosova luan më mirë si mysafire sesa në stadium të vetin (se vetëm një e kemi ☹) është se nuk i nënshtrohet presionit të madh të opinionit – apo më mirë thënë dëshirës së flaktë të njerëzve për të arritur fitore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kosova humbi, por jo nga një Turqi shumë më dominuese e as shumë më të mirë në fushë. Thuajse presioni me të cilin i kishim ngarkuar të gjithë ne, që rezultatin e dëshiruar e bëmë fontanë dëshirash, ua preu këmbët që në fillim. Dhe një gol fatkeq nuk mundi të tejkalohej. Pra mbetëm duke ëndërruar, me shpresën se nuk do të na ndodhë si te rasti i Prishtinës me të cilin e kisha nisur shkrimin e shkuar: të presim dhjetë vjet për t’u gëzuar.

* * *

Megjithatë, kokën lart djema! Tash duhet përqendruar në kualifikimet për Evropian, ndërkohë që ne, si tifozët sa të moçëm aq edhe taze, duhet të mësohemi se njerëzve duhet dhënë hapësirë për frymëmarrje dhe për kontrollimin e emocioneve të veta. Sepse fundja, askush nuk është ndier më keq sesa lojtarët atë natë.

Kosova ka dëshmuar se ka talente, që gjysmëzhvillohen këtu e më pas shpërthejnë jashtë. Tregon se na mungon një strategji e mirëfilltë për zhvillimin e sportit, që kishte pasur efekte të shumëfishta te brezat e rinj. Nuk e besoj se ka aktivitet më të mirë sesa sporti për t’i larguar fëmijët nga rrjetet toksike sociale dhe telefonat e mençur, që janë të mençur për vete ndërkohë që dinë të ta topitin trurin deri në skaj.

* * *

Kombëtarja e futbollit, me gjithë diskualifikimin, mori mirënjohje nga kryetarja Osmani – krahas edhe nja 200 personave të tjerë të cilëve iu nda medalja presidenciale. Te rasti i të nderuarve të tjerë, marrja e medaljeve ka qenë arsye për gëzim për nderimin që u bëhej atyre apo edhe familjarëve që nuk janë. Fundja është ndër kompetencat që i ka kryetari i shtetit të përkufizuara me Kushtetutën. Mund të pajtohemi ose jo me numrin dhe me mënyrën se si janë ndarë ato, por kjo mbeti në diskrecionin e Osmanit që zgjodhi javën e fundit të mandatit për t’i ndarë mirënjohjet.

Mirëpo te rasti kombëtares, medalja u dha “për shpresën që na e krijuan”. Fytyrat e Vedat Muriqit dhe Agim Ademit në foton zyrtare rrezatonin pikëllim dhe mbase edhe hamendje se përse pranuan të bëheshin pjesë e një çasti të këtillë – kur edhe vetë, e besoj, janë të vetëdijshëm që kjo medalje do të kishte kuptim para se të niseshin në Amerikë, po të kualifikoheshin.

Nejse, edhe për këtë Kosova është sui generis.

* * *

Dhe përderisa masa po ua ndrydhte nervat lojtarëve, në Kosovë, “business as usual”. Pra, hallakamë në jetën e përditshme, rrafsh në jetën e politikanëve.

Para nja dhjetë ditësh, Visar Azemi nga LDK-ja mbajti një konferencë për shtyp dhe e shpalosi një problem shumë serioz për të cilin është folur që nga çasti kur KESCO a KEDS a cili është, se kurrë nuk dita t’i dalloj, vendosi që njehsorët analogë t’i zëvendësojë me ata digjitalë.

Që në fillim, kur u vendosën orët e reja, faturat e rrymës filluan të ngriheshin – diku më shumë, diku më pak, dhe pati edhe protesta para disa vjetësh, ku kërkohej që orët digjitale të kontrolloheshin e të kalibroheshin se dallimet në fatura ishin evidente.

Më pas, çështja e njehsorëve u shua (si plot gjëra te ne – njëherë hëz e më pas ndal në vend), derisa nuk u aktivizua sërish para disa ditësh.

Ishin shikuar disa qindra njehsorë, dhe ishte konstatuar se kishte probleme në to, ngase ora në to ishte e pasaktë dhe se ky fakt ndikonte me automatizëm në vlerën e faturave që u dërgoheshin konsumatorëve. Pas kësaj konference, edhe unë e kontrollova njehsorin tim: ishte 15 minuta përpara dhe një ditë prapa. Kjo puna e ditës nuk e di a është në favor timin apo jo, sepse krejt çka shoh në faturën time është që muaji i matjes nis më datën 23. As këtë nuk e di pse.

Sidoqoftë, problemi me njehsorët dhe pasaktësinë e orës në to është shumë më i madh sesa mundohen ta amortizojnë KESCO a KEDS-i, cilido të jetë, e edhe Qeveria. Nëse ora është dy orë përpara, kjo do të thotë se rryma e lirë është dy orë më e shkurtër për konsum, nëse të gjithë nisim ta rrisim konsumin pas orës 22:00. Nëse ora është prapa ta zëmë dy orë, përsëri do të ketë më pak orë për konsum me rrymë të lirë, ngase rritja e konsumit është planifikuar për në orën 22:00 e jo 20:00.

Është me rëndësi, por jo me rëndësi kyç në këtë kontekst, matja e saktë ose e jo e konsumit. Ajo që është kyç në këtë situatë është vlera e kalkuluar për shpenzimin e realizuar. E se sa është kjo me rëndësi është ky fakt: rryma me të shtrenjtë kushton 0.0905€, kurse ajo me të lirë 0.0388€. Qitjani lapsin.

Pra, nëse është e vërtetë që në Kosovë janë ndërmjet 600.000 dhe 650.000 njehsorësh, po të mblidheshin të gjithë inspektorët e tregut të Ballkanit Perëndimor nuk do të mund t’i kontrollonin të gjithë ato për një kohë të shkurtër dhe të efektshme. Pra nuk mbetet tjetër pos që secili prej nesh të bëhet inspektor për vete dhe ta paraqesë rastin në MINT. Por çështja tash mbetet – cili do të jetë sanksioni dhe cili do të jetë mekanizmi që do ta mundësojë kompensimin e qytetarit për mashtrimin që u bëhet për shkak të moskalibrimit, mbase të qëllimshëm, të njehsorëve.

Me vite kemi paguar rrymën e veriut, dhe kush nuk na i ktheu paratë. Dhe tash na marrin para sipas orës së prishur. Nuk mjafton dënimi nga inspektorati. Duhet vendim nga ZRRE-ja për t’i mbrojtur konsumatorët. Por nga përvoja e deritanishme, ky rregullator është dëshmuar gjithçka pos mbrojtës i konsumatorëve.

* * *

E po të ishte vetëm rryma, diqysh më lehtë do t’ia kalonim. Porse me luftën në Iran, e me shtrenjtimin e pakontrolluar të benzinës, gjithçka do të fillojë të shtrenjtohet prapë. Nuk duhet me qenë as gjeni e as interpretues i Kushtetutës për të kuptuar se shtrenjtimi i karburanteve ka një efekt zinxhiror dhe ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve – qoftë për shkak të transportit, qoftë pse përdoret si lëndë e parë për prodhim, apo përdoret si lëndë sekondare në prodhim.

Shtetet e rajonit kanë ndërhyrë me uljen e TVSH-së, uljen e akcizës, kanë vendosur, përkohësisht, çmime tavan, kanë ndaluar eksportin (duke i ruajtur rezervat) dhe kanë ndarë subvencione për bujqësi e transport. E Kosova? Kosova nuk ka bërë asgjë.

Po thonë se ulja e akcizës dhe e TVSH-së u kontribuon vetëm tregtarëve e jo edhe konsumatorëve (nuk po e kuptoj logjikën). Që ndikon në zvogëlimin e buxhetit (që është fakt). Porse nuk po thonë se e rritë inflacionin i cili është duke na e hëngër shpirtin.

Është shumë e pakuptimtë të na thuhet se çmimi i naftës do të bjerë në korrik – se këtë punë nuk e di as vetë Trumpi që ia nisi luftës që e shkaktoi këtë krizë. Është gjithashtu shumë e pakuptimtë që të mos ndërmerret asnjë gjë me premisën se çmimi do të bjerë në korrik. E çfarë të bëjmë ne deri në korrik? Si t’i përballojmë çmimet që rriten, e më pas nuk kthehen në pikën ku kanë qenë. Ndërkohë, për shkak të krizës ekonomike, askush nuk mund t’i rrisë rrogat për t’ia përshtatur inflacionit. Sepse treçerek të të punësuarve në Kosovë nuk mund t’i qasen buxhetit shtetëror për këtë qëllim. Këtë privilegj e ka vetëm sektori publik.

Siç ndodhi javën e shkuar. 75 milionë... pra 75 milionë euro shkuan për t’ua paguar rrogën e 13-të sektorit publik – një përmbushje premtimi elektoral – me para të buxhetit dhe me shpërndarje pa dhimbtë. Diskriminimi i 300 mijë punëtorëve të sektorit privat që janë kontribuuesit më të mëdhenj të këtij buxheti është absolutisht i pabesueshëm dhe i pakuptimtë. Sa për rikujtim, madje edhe ekonomia më e madhe e tregut, Amerika, në kohë krizash ka ndarë shuma marramendëse parash për t’i shpëtuar familjet nga hipotekat apo edhe për t’ua vazhduar shkollimin – e nuk i ka ndarë paratë vetëm zyrtarëve që shteti i ka në listë të rrogave.

* * *

Nëse kjo qeveri beson se Kosova duhet ta etatizojë ekonominë dhe krejt segmentet e tjera që e bëjnë shoqërinë, le të na tregojë – ta dimë se sektori privat duhet të vdesë, dhe që krejt duhet t’i mbetet shtetit nën kontroll. Të bëhemi diçka si Kuba, e të mbesim nën mëshirën e dikujt që mund ta na stërshesë rrymën, artikullin më të rëndësishëm, atëherë kur të mbetemi pa të. E që nuk do të kemi çfarë të hamë, ajo pak do të jetë me rëndësi.

Kosova me katër-pesë ministra të ekonomisë, e me kurrfarë ekonomie.

Që në çastin kur mbi gjysma e buxhetit shkon në paga, pensione, subvencione të imëta, etj. etj. e në mungesë të sistemeve edhe pensionale, edhe sociale edhe shëndetësore thuajse gjithçka është e qartë. E edhe më e qartë bëhet kur e kupton se më pak se çereku i buxhetit ndahet për infrastrukturë që mund të gjenerojë të hyra dhe qarkullim të parasë në treg (e jo në Shqipëri për vikend, për shembull). Prandaj akcizat, TVSH-të, tatimet në kufi e të ngjashme duhen të mbahen me çdo kusht: për të vazhduar të shpenzohen paratë e gatshme vetëm te një segment i popullsisë, në emër të barazisë.

E paskam paragjykuar veten se nuk di gjë për ekonomi. Paska edhe më keq.

[email protected]