Komentet e presidentit Trump për konfliktin Izrael-Iran kanë lëvizur nga mbështetja e plotë për sulmet izraelite, deri te distancimi i fortë prej tyre – dhe pastaj sërish kthim pas.
Kjo paqartësi nga ana e tij ka shtuar ndjesinë e pasigurisë, ndërkohë që luftimet po përshkallëzohen – dhe veçanërisht pas largimit të tij nga takimi i G7 në Kanada.
Ai tha thjesht se kishte “punë të rëndësishme” për t’u kthyer në Uashington.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se largimi i tij kishte të bënte me “ato që po ndodhin në Lindjen e Mesme”, ndërsa më vonë, në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi se largimi “nuk kishte lidhje me asnjë armëpushim”.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi më herët se sulmet ndaj Iranit ishin “plotësisht të koordinuara” me SHBA-në.
Pra, cilët janë faktorët që po ndikojnë mbi Trumpin – dhe më e rëndësishmja, cilat janë opsionet e tij tani?
T’i nënshtrohesh presionit të Netanyahut dhe të përshkallëzosh konfliktin
Ndërsa raketat izraelite goditën Teheranin të enjten, Trump kërcënoi udhëheqësit iranianë me sulme “edhe më brutale” nga aleati i tij izraelit, i armatosur me bomba amerikane.
Objektivi përfundimtar i Trumpit dihet. Ashtu si Netanyahu, ai thotë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.
Megjithatë, ndryshe nga Netanyahu, Trump ka deklaruar se preferon të arrihet një marrëveshje midis SHBA-së dhe Iranit (kjo qasje përputhet edhe me imazhin që ai ka krijuar për veten si “mjeshtër i marrëveshjeve” në nivel botëror).
Por qëndrimi i tij mbi mënyrën se si të arrihet kjo marrëveshje ka qenë i paqëndrueshëm – ndonjëherë ai mbështet kërcënimin me forcë, ndërsa herë të tjera shtyn për diplomaci.
Javën e kaluar ai tha, në të njëjtën fjali, se një sulm izraelit ndaj Iranit mund të ndihmonte për një marrëveshje, ose mund ta “shkatërronte” atë.
Paparashikueshmëria e Trumpit shpesh përshkruhet nga mbështetësit e tij si pjesë e një strategjie – e ashtuquajtura teoria e “njeriut të çmendur” në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kjo teori, që është përdorur më parë për të përshkruar taktikat e negociatave të Trumpit, sugjeron se pasiguria e qëllimshme ose veprimi i paparashikueshëm funksionon për të detyruar kundërshtarët (madje edhe aleatët, në rastin e Trumpit) që të binden. Kjo qasje është e njohur edhe nga disa praktika të Luftës së Ftohtë të presidentit Richard Nixon.
Disa nga këshilltarët dhe mbështetësit e Trumpit e përkrahin qasjen “presion maksimal” ndaj Iranit, si pjesë e kësaj teorie.
Ata besojnë se kërcënimet në fund do të japin rezultat, sepse – sipas tyre – Irani nuk është i interesuar vërtet për negociata, edhe pse në vitin 2015, Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore të udhëhequr nga administrata Obama, të cilën më vonë Trump e anuloi.
Netanyahu ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj Trumpit që ai të ndjekë rrugën ushtarake, dhe jo atë diplomatike.
Dhe presidenti amerikan – pavarësisht dëshirës së shprehur shpesh për të fituar Çmimin Nobel për Paqe – në fund mund të ndjejë nevojën për të realizuar kërcënimet e tij luftarake ndaj udhëheqjes së Iranit.
Izraeli gjithashtu mund të ushtrojë më shumë presion prapa skenës që SHBA të përfshihet drejtpërdrejt, për ta “përfunduar punën” – ashtu siç e sheh ai.
SHBA-ja disponon bomba të posaçme për shkatërrimin e bunkerëve nëntokësorë, dhe Izraeli beson se ato mund të përdoren për të shkatërruar objektin e pasurimit të uraniumit nëntokësor të Iranit në Fordow.
Me përshkallëzimin e luftimeve, shtohet edhe presioni mbi Trumpin nga kampi republikan “luftënxitës” në Kongres, i cili prej kohësh ka kërkuar ndryshim regjimi në Iran.
Trump mund ta shohë gjithashtu si një mundësi për ta detyruar Iranin të negociojë me të nga një pozitë më e dobët.
Por fakt është se Irani tashmë ishte i ulur në tryezën e bisedimeve – ishte planifikuar raundi i gjashtë i bisedimeve me të dërguarin e Trump, Steve Witkoff, që do të mbahej të dielën në Oman.
Tani, këto bisedime janë braktisur.
Rruga e mesme – vazhdimi me të njëjtin qëndrim
Deri tani, Trumpi ka përsëritur se SHBA-ja nuk është e përfshirë në sulmet e Izraelit.
Çdo përshkallëzim përfshin rreziqe të mëdha dhe mund të ndikojë fuqishëm në trashëgiminë politike të Trump.
Disa këshilltarë të Trumpit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare ka të ngjarë që po e këshillojnë të mos ndërmarrë veprime që mund të shtojnë intensitetin e sulmeve të Izraelit ndaj Iranit në ditët në vijim – sidomos pasi disa raketa iraniane kanë arritur të kalojnë mbrojtjen izraelito-amerikane dhe kanë shkaktuar viktima.
Netanyahu tani po argumenton se sulmimi i udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, do ta përfundonte konfliktin, dhe jo ta përshkallëzonte atë.
Por një zyrtar amerikan, në mënyrë anonime, ka informuar disa media gjatë fundjavës se Trump është shprehur qartë kundër një veprimi të tillë.
Të dëgjosh zërat e MAGA-s dhe të tërhiqesh
Një nga faktorët më të rëndësishëm politikë që ka ndikim te Trump është mbështetja e tij e brendshme në SHBA.
Shumica e republikanëve në Kongres vazhdojnë të mbështesin fuqishëm Izraelin, përfshirë dhe furnizimin me armë nga SHBA-ja. Shumë prej tyre kanë përkrahur publikisht sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
Por ka disa zëra të rëndësishëm brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA) të Trumpit që tani po kundërshtojnë hapur mbështetjen tradicionale “të hekurt” për Izraelin.
Në ditët e fundit, ata kanë ngritur pyetje pse SHBA-ja po rrezikon të përfshihet në një luftë në Lindjen e Mesme, kur Trump kishte premtuar një politikë të jashtme të fokusuar tek “Amerika e Para”.
Gazetari pro-Trump, Tucker Carlson, publikoi të premten një kritikë të ashpër, duke thënë se pretendimet e administratës se SHBA-ja nuk është e përfshirë, nuk janë të vërteta dhe se SHBA-ja duhet “ta lërë Izraelin”.
Ai tha se Netanyahu “dhe qeveria e tij e etur për luftë” po vepronin në një mënyrë që mund të tërheqë trupat amerikane për të luftuar në vend të tij.
Carlson shkroi: “Përfshirja në këtë luftë do të ishte si një shuplakë përballë miliona votuesve që votuan me shpresën se do të krijohej një qeveri që më në fund do të vendoste SHBA-në të parën”.
Po ashtu, përfaqësuesja amerikane dhe mbështetëse e fortë e Trump, Marjorie Taylor Greene, postoi në rrjetin X: “Kushdo që dëshiron me padurim që SHBA-ja të përfshihet plotësisht në luftën Izrael/Iran nuk është pjesë e politikës America First/MAGA”.
Kjo përbën një dobësi të madhe për Trumpin.
Krijon presion që ai të distancohet nga ofensiva e Izraelit, dhe ka sinjale që ai e ka bërë këtë, të paktën publikisht.
Debati brenda MAGA-s gjatë fundjavës përkoi me një postim të Trumpit në rrjetet sociale, ku ai tha se bashkohej me presidentin rus Putin në thirrjen për t’i dhënë fund luftës. Deri të dielën, Trump tha se Irani dhe Izraeli duhet të arrijnë një marrëveshje, duke shtuar: “SHBA nuk kishte asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit.”
Rreziku që mund të vriten ushtarë amerikanë do të fuqizonte ndjeshëm zërin izolacionist brenda MAGA-s, çka do ta detyronte Trumpin të tërhiqej edhe më shumë dhe të ushtronte presion ndaj Netanyahut që të përfundojë ofensivën sa më shpejt.
