Botë

Në 2025-ën, dëshira e francezëve për emigrim në nivelin më të lartë

Flamuri i Frances

Në vitin 2025, dëshira e francezëve për t'u larguar nga vendi ka arritur nivel rekord.

Sipas një studimi të Gallup-it të publikuar këtë javë, besimi në institucionet franceze ka rënë ndjeshëm këtë vit, ndërsa dëshira për t'u larguar nga Franca është rritur, raportoi "Euronews".

Vlerësohet se më shumë se një e katërta e francezëve mendojnë të shpërngulen përgjithmonë jashtë vendit.

Kjo rritje e numrit të njerëzve që mendojnë të ikin, e paparë për gati 20 vjet, vjen pas një rënieje të ndjeshme të besimit në institucione dhe një klime politike që perceptohet si gjithnjë e më shqetësuese.

Sipas institutit, 27% e të rriturve në Francë thonë se do të donin të zhvendoseshin përgjithmonë jashtë vendit nëse do të kishin mundësi, nga 11% sa ishin vitin e kaluar.

Besimi në sistemin gjyqësor (50%) dhe në institucionet financiare (42%) kanë rënë ndjeshëm. 

Në frontin ekonomik, pesimizmi është i përhapur : 67% e francezëve besojnë se situata e tyre po përkeqësohet, krahasuar me vetëm 21% që e shohin atë duke u përmirësuar.

Që nga viti 2015, Franca ka qenë një nga vendet më pesimiste ekonomikisht të OECD-së, menjëherë pas Greqisë.

Sipas Gallup, lidhja midis mosbesimit institucional dhe dëshirës për t’u larguar është e qartë: gati gjysma e francezëve me pak ose aspak besim tek institucionet raportojnë se duan të largohen nga vendi, krahasuar me një përqindje shumë më të vogël midis atyre që ruajnë besim të lartë.