Para nisjes së takimit në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, të dy liderët folën për mundësinë e përfundimit të luftës në Ukrainë dhe për bashkëpunimin e ardhshëm mes dy vendeve.
Trumpi ka thënë se ka bindjen që presidenti rus Vladimir Putin “dëshiron ta përfundojë luftën”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të angazhohen për të gjetur një zgjidhje që “t’i shërbejë të gjithëve”.
“Ka shumë gjak të keq mes Zelenskyt dhe Putinit. Këta dy liderë nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin, por duam ta bëjmë situatën më të mirë për të gjithë. Një mënyrë apo tjetër do të përfshihemi në formatin trepalësh, por ndoshta edhe veçmas. E dini çfarë? Mendoj se Putini dëshiron ta përfundojë luftën, përndryshe s’do të flisja kështu”, ka thënë Trump.
Zelensky, nga ana tjetër, u shpreh se Ukraina është gati të ofrojë dronët e saj në këmbim të raketave amerikane Tomahawk, që kanë rreze goditëse deri në 2,000 kilometra.
“Jemi gati t’i ofrojmë Amerikës mijëra dronë nëse do të na lejohet përdorimi i Tomahawkëve. Kemi shumë për t’i ofruar bashkëpunimit dhe prodhimit amerikan”, deklaroi ai.
Trumpi e vlerësoi ofertën ukrainase duke thënë se Shtetet e Bashkuara tashmë ndërtojnë dhe blejnë shumë dronë nga vende të ndryshme, ndërsa “ukrainasit prodhojnë dronë shumë të mirë”. Megjithatë, ai paralajmëroi se përdorimi i raketave me rreze të gjatë do të përbënte “përshkallëzim serioz”.
Lidhur me mundësinë e bisedimeve paqësore, Zelensky u shpreh se është “gati të flasë në çdo format”, duke nënvizuar se prioritet mbetet vendosja e një armëpushimi.
“Duhet të ulemi dhe të flasim. E para, duhet të kemi armëpushim. Edhe në Lindjen e Mesme po shihet sa e vështirë është ta ruash një armëpushim. Jam gati të flas në çdo format – dypalësh, tripalësh – nuk ka rëndësi, rëndësi ka paqja”, ka thënë ai.
Presidenti ukrainas falënderoi Trumpin për rolin e tij në ndërmjetësimin e armëpushimit në Gaza dhe shtoi se me ndihmën e tij “mund të përfundojë edhe lufta në Ukrainë”. Ai po ashtu njoftoi se ka zhvilluar takime me kompani energjetike amerikane që janë të gatshme të investojnë në Ukrainë pas përfundimit të luftës.