Botë

Trump: Mund të udhëtoj në Lindjen e Mesme në fundjavë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Donald Trump ka deklaruar se mund ai të udhëtojë në Lindjen e Mesme në fundjavë, duke shtuar se negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit janë shumë pranë marrëveshjes dhe se sipas tij, po ecin shumë mirë.

“Është shumë pranë, po ecin shumë mirë … Mendoj se do të ndodhë, ka gjasa të mira të ndodhë. Mund të shkoj atje nga fundi i javës. Ka shumë gjasa, negociatat po ecin shumë mirë”, deklaroi Trump para gazetarëve.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi – i cili e ka ftuar Trumpin të vizitojë Egjiptin nëse arrihet një marrëveshje – tha se shenjat nga bisedimet ishin “inkurajuese”, ndërsa edhe Hamasi shprehu “optimizëm” për diskutimet indirekte me Izraelin, raporton Agence France-Presse.

Al-Qahera News, një media e afërt me shërbimet e inteligjencës egjiptiane, raportoi se sesionet e mbrëmjes për bisedimet e së mërkurës kishin filluar.

Trump tha se sapo kishte folur në telefon me zyrtarë në Lindjen e Mesme, ku i dërguari i tij i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhëndri i tij, kishin mbërritur për të marrë pjesë në diskutimet në Egjipt, shkruan The Guardian.

Kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe kreu i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, morën gjithashtu pjesë. Ministri izraelit për çështje strategjike, Ron Dermer, një bashkëpunëtor i ngushtë i Benjamin Netanyahut, janë poashtu të pranishëm.

Pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë nga tri vendet solli më shumë shpresë se ky raund bisedimesh mund të çojë në një marrëveshje, edhe pse ende ka dallime të mëdha mes palëve.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha se kishte “përparim të madh” në negociata dhe se një armëpushim do të shpallet nëse arrijnë sukses.

Hamasi ka kërkuar garanci ndërkombëtare që Izraeli nuk do të rifillojë bombardimet në Gazë pasi grupi t'i lirojë të gjithë pengjet e mbetura, të gjallë dhe të vdekur.

Ndër pikat që ende duhen negociuar janë kërkesa që Hamasi të çarmatoset, mënyra dhe koha kur trupat izraelite do të tërhiqen nga Rripi i Gazës, si dhe përbërja e një organi ndërkombëtar që pritet të qeverisë Gazën.

Gjithashtu, ende duhet të përcaktohen detajet logjistike për një shkëmbim pengjesh me të burgosur, dhe Hamasi u ka dorëzuar ndërmjetësve një listë të të burgosurve palestinezë që kërkon të lirohen nga burgjet izraelite.