Presidenti amerikan Donald Trump ka autorizuar vendosjen e 300 trupave të Gardës Kombëtare në qytetin e Çikagos, duke thënë se ky vendim vjen si përgjigje ndaj asaj që ai e përshkroi si “krim jashtë kontrollit”.
Ky veprim u ndërmor vetëm disa orë pasi autoritetet e imigracionit raportuan përballje me protestues në këtë qytet të udhëhequr nga demokratët. Gjatë incidentit, një grua e armatosur u qëllua nga forcat e rendit pasi ajo dhe disa të tjerë u përplasën me vetura në automjetet e zyrtarëve.
Liderët lokalë dhe shtetërorë kanë kundërshtuar për javë të tëra planet e presidentit për dislokimin e forcave federale, duke i quajtur ato një abuzim me pushtetin. Guvernatori i Illinoisit, JB Pritzker, e akuzoi presidentin Trump për “përpjekje për të fabrikuar një krizë”.
Ky njoftim vjen në të njëjtën kohë kur një gjykatës federal në Portland, Oregon – një tjetër qytet i udhëhequr nga liberalët – ka bllokuar përkohësisht vendosjen e 200 trupave të tjerë të autorizuar nga administrata Trump.
Gjykatësja federale Karin Immergut ka dënuar deklaratat e presidentit Donald Trump për gjendjen në Portland, duke i cilësuar si “të shkëputura nga faktet” dhe duke thënë se dislokimi i trupave federale pa pëlqimin e shtetit të Oregonit përbën shkelje të Kushtetutës.
Sipas saj, përdorimi i ushtrisë për të shtypur trazirat pa miratimin e shtetit rrezikon sovranitetin jo vetëm të Oregonit, por edhe të shteteve të tjera. Ajo shtoi se kjo ndërhyrje ka nxitur më tej tensionet në Portland dhe ka çuar në rritjen e protestave.