Revista amerikane “Foreign Affairs” paralajmëron se përmbysja e regjimit në Teheran pa një alternativë të qëndrueshme mund të çojë në kaos të brendshëm apo diktaturë ushtarake të vendosur për të pasur armë bërthamore.
Revista amerikane “Foreign Affairs” ua kushton një analizë tensioneve të rrezikshme mes Izraelit dhe Iranit pas operacionit ushtarak izraelit, i cili ka goditur caqe bërthamore dhe ushtarake në Iran, duke vrarë edhe civilë. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa. Situata mund të acarohet më tej dhe shndërrohet në një konflikt të drejtpërdrejtë mes SHBA-së dhe Iranit.
Administrata e presidentit Donald Trump ka dërguar sinjale kundërthënëse, shkruan “Foreign Affairs”. Megjithëse ka ndihmuar Izraelin ushtarakisht, Trump ka deklaruar se dëshiron një marrëveshje bërthamore me Iranin. “Foreign Affairs” vlerëson se kjo mundësi diplomatike ende ekziston – me kusht që SHBA-ja të distancohet nga fushata ushtarake izraelite dhe të ushtrojë ndikimin e saj mbi Teheranin dhe Tel-Avivin.
Sipas analizës, Izraeli e sheh këtë moment si mundësinë më të mirë për të dobësuar jo vetëm programin bërthamor iranian, por edhe vetë regjimin në Teheran. Fushata e tanishme izraelite është më e gjerë se çdo ndërhyrje e mëparshme: mbi 200 avionë kanë goditur rreth 100 caqe dhe operacionet sekrete të Mossadit kanë eliminuar figura kyç të Gardës Revolucionare dhe shkencëtarë bërthamorë. Nga ana tjetër, udhëheqja iraniane beson se synimi përfundimtar i Izraelit është rrëzimi i regjimit.
Në këtë kontekst, Irani mund të zgjerojë konfliktin në nivel rajonal duke sulmuar bazat amerikane, infrastrukturën e naftës apo qarkullimin detar në Gjirin Persik për të detyruar SHBA-në të ushtrojë presion mbi Izraelin. Por një konflikt më i gjerë mund të përfshijë edhe vetë amerikanët në luftë. “Foreign Affairs” nënvizon se çdo viktimë amerikane do ta detyronte Trumpin të reagonte me forcë, duke rrezikuar një përshkallëzim katastrofik.
Megjithatë, edhe nëse SHBA-ja shmang përfshirjen direkte, rreziku i një lufte të ardhshme me Iranin mbetet i madh. Edhe pse Izraeli ka arritur të vonojë programin bërthamor të Iranit, nuk ka mundur ta shkatërrojë plotësisht. Vetëm një ndërhyrje masive amerikane mund ta bënte këtë, ose – siç sugjeron artikulli – një ndryshim regjimi në Teheran, që vetë Izraeli e përmend gjithnjë e më hapur. Por, paralajmëron “Foreign Affairs”, përmbysja e regjimit pa një alternativë të qëndrueshme mund të çojë në kaos të brendshëm apo diktaturë ushtarake të vendosur për të pasur armë bërthamore.
Në këtë situatë të rrezikshme, Trump ka pak mundësi për të ruajtur paqen dhe pozitën e tij si “negociator”. “Foreign Affairs” beson se një marrëveshje diplomatike është opsioni më i mirë – dhe ndoshta i vetmi – për të shmangur një Iran me armë bërthamore dhe një përfshirje të SHBA-së në një luftë të re në Lindjen e Mesme. Kjo do të kërkonte që Trump të ndryshojë strategji: të ushtrojë presion mbi Izraelin, ndoshta duke kërcënuar pezullimin e ndihmës ushtarake, dhe të ofrojë një marrëveshje reale për Teheranin.
“Foreign Affairs” përmend mundësinë e krijimit të një konsorciumi ndërkombëtar për pasurimin e uraniumit, me pjesëmarrje edhe nga Arabia Saudite – një ide që Irani e kishte pranuar përpara sulmeve izraelite. Në këmbim, SHBA mund të heqë sanksionet dhe embargon tregtare.
Si shembull, përmendet ndërhyrja e Ronald Reagan në vitet ’80 për të ndalur bombardimet izraelite në Bejrut dhe për të ndërmjetësuar armëpushimin mes Iranit dhe Irakut. Edhe pse e vështirë politikisht, një diplomaci e tillë do të shmangte një përplasje të madhe ushtarake dhe do t’iu shërbente interesave afatgjata të SHBA-së.
“Foreign Affairs” thekson se pa një marrëveshje, regjimi iranian do të ndjekë me siguri planet për armë bërthamore sapo të ketë mundësi, duke e vënë Trumpin përballë një zgjedhjeje të rrezikshme: të pranojë një Iran me armë bërthamore ose të ndjekë një luftë tjetër katastrofike në Lindjen e Mesme.
Përgatiti: E.R.