Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, pas takimit me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shfaqur indikacione se po e konsideron mundësinë t’i dërgojë Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ për t’u mbrojtur nga sulmet e intensifikuara të Rusisë. Takimi është zhvilluar në margjinat e samitit të NATO-s që është mbajtur në Hagë të Holandës, ka shkruar Reuters.
Që të dy liderët kanë bërë të ditur se takimi afro 50-minutësh ishte hap pozitiv për t'i dhënë fund luftës që tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt, e të cilën Trumpi e kualifikoi si “më të vështirë për t’u zgjidhur sesa luftërat e tjera”.
Gjatë konferencës për shtyp, presidenti amerikan ka thënë se armët e këtij lloji “janë shumë të vështira për t’u marrë” porse do të “shohim nëse mund t'i bëjmë disa prej tyre të disponueshme”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu e la të hapur mundësinë për t’i siguruar më shumë ndihma ushtarake Kievit zyrtar, i cili po përballet me vështirësi të reja në vijën e frontit si pasojë e përparimeve ruse në muajt e fundit.
Në të kaluarën, Trumpi nuk kishte shfaqur ndonjë prirje për të vazhduar dërgesat e armatimit në Ukrainë.
Ndërkohë, Zelensky e ka përshkruar takimin si “të gjatë dhe substancial”, tek ka thënë se i ka mbuluar “të gjitha çështjet e rëndësishme”.
“Ne diskutuam se si të arrijmë një armëpushim dhe një paqe të vërtetë”, ka shkruar ai në rrjetin social X.
Trumpi ka shtuar se do të fliste së shpejti në telefon me Vladimir Putin, duke theksuar se presidenti rus “duhet t’i jap fund me të vërtetë kësaj lufte”.
Kohëve të fundit, Zelensky ka punuar jashtëzakonisht shumë për të rindërtuar marrëdhëniet me Washingtonin, pas takimit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin në muajin shkurt.
Zelensky: I thashë Trumpit se Putini nuk po e fiton luftën
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka vlerësuar si “të mirë” takimin e së mërkurës me homologun amerikan, Donald Trump, teksa ka theksuar se i ka bërë me dije atij se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk po e fiton luftën në Ukrainë, ka raportuar Reuters.
“Ne folëm për situatën në fushën e betejës. Putini definitivisht nuk po fiton. I paraqita presidentit faktet rreth asaj që po ndodh vërtet në terren”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social X.
Mes tjerash, ai e ka përshëndetur mbështetjen e Trumpit dhe ka afirmuar përkushtimin e Ukrainës për të blerë armë nga Shtetet e Bashkuara “në mënyrë që të mbrojmë qytetet tona, njerëzit tanë, kishat, dhe infrastrukturën”.
“Ukraina është gati t’i blejë këto pajisje dhe të mbështesë prodhuesit amerikanë të armëve. Evropa mund të ndihmojë. Ne diskutuam gjithashtu potencialin për bashkëprodhimin e dronëve. Ne mund ta fuqizojmë njëri-tjetrin”, ka vazhduar ai.
Që të dy liderët kanë bërë të ditur se takimi afro 50-minutësh, ishte një hap pozitiv për t’i dhënë fund luftës që tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt, të cilën Trumpi e ka kualifikuar si “më të vështirë për t’u zgjidhur sesa luftërat e tjera”.