Botë

Trumpi kërcënon vendet që s’e mbështesin për Grenlandën: Mund t’u vendos tarifa të ashpra

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj vendeve që nuk e mbështesin planin e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës.

“Nëse vendet nuk pajtohen me çështjen e Grenlandës, mund t’u vendos tarifa, sepse na duhet Grenlanda për sigurinë kombëtare”, ka deklaruar Trump gjatë një tryeze të rrumbullakët në Shtëpinë e Bardhë, e cila ishte e fokusuar në shëndetësinë rurale.

Trump ka përsëritur se SHBA-ja “absolutisht duhet” ta marrë Grenlandën, duke shtuar presionin ndaj Danimarkës, së cilës ishulli i përket zyrtarisht.

Deklarata e tij vjen pas një takimi të mbajtur të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, si dhe zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance.

Po atë ditë, Gjykata Supreme e SHBA-së njoftoi se pritet të marrë vendim të shumëpritur lidhur me ligjshmërinë e tarifave të vendosura nga Trumpi. Çështja kryesore është nëse presidenti ka të drejtë t’i vendosë tarifat i vetëm apo nëse për këtë kërkohet miratimi i Kongresit.

Trump foli në një takim që zyrtarisht ishte i dedikuar investimeve në zonat rurale, por gjatë fjalimit të tij, siç ndodh shpesh, preku edhe tema të tjera politike.

Danimarka e ka hedhur poshtë kategorikisht idenë e Trumpit, duke theksuar se Grenlanda nuk është në shitje.

Grenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, me qeveri dhe parlament të vetin, ndërsa zyrtarët danezë dhe grenlandezë kanë theksuar vazhdimisht se vendimet për të ardhmen e ishullit mund të merren vetëm nga banorët e tij – të cilët sipas sondazheve janë kundër që SHBA-ja ta marrë kontrollin.