Botë

Trumpi largohet nga Egjipti i nderuar me “Urdhrin e Nilit”

trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump sapo ka hipur në aeroplanin presidencial, Air Force One, për t’u kthyer në Uashington DC.

Ai përshëndeti shkurtimisht shikuesit, por nuk ndaloi për të folur për mediat përpara se të hipte në bord.

Para nisjes, presidenti egjiptian Abdul Fattah al-Sisi i ka dhënë Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Urdhrin e Nilit, nderin më të lartë të Egjiptit.

Urdhri i Nilit, i quajtur edhe “Qafa e Nilit”, i jepet individëve për kontribute të jashtëzakonshme në shërbim të Egjiptit apo të njerëzimit. Ai është i punuar nga ari i pastër dhe përbëhet nga një zinxhir me tre motive katrore të ndërthurura, secila me një lule të rrumbullakët prej ari, të stolisura me rubinë.

Shumë liderë botërorë e kanë marrë këtë nderim, përfshirë ish-presidentin amerikan Jimmy Carter për rolin e tij në ndërmjetësimin e traktatit të paqes mes Egjiptit dhe Izraelit në Uashington në vitin 1979.

Mbretëresha Elizabeta II e Britanisë e mori atë në vitin 1975, dhe udhëheqësi i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, u nderua me Urdhrin e Nilit në vitin 1990.

Në fjalën e tij presidenti Trump këtë ditë e quajti si ditën për të cilën njerëzit kanë “punuar, shpresuar, dëshiruar dhe lutur”. Presidenti amerikan thotë se “marrëveshja historike” që sapo u nënshkrua nga grupi i liderëve do të thotë se “lutjet e miliona njerëzve më në fund kanë marrë përgjigje”.

Trumpi gjithashtu falënderon Sisin me një shtrëngim duarsh për njohjen që i bëri me Urdhrin e Nilit, të cilin e quan një “titull të bukur”. Duke folur në konferencën për shtyp, Sisi thotë se palestinezët “kanë të drejtën e vetëvendosjes dhe të aspirojnë për një të ardhme ku lufta nuk është mbi ta”.

Ai shton se palestinezët “kanë gjithashtu të drejtën të gëzojnë lirinë dhe të jetojnë në shtetin e tyre të pavarur, një shtet që jeton krah për krah me Izraelin në paqe, siguri dhe njohje të ndërsjellë”.

Trump udhëtoi drejt Egjiptit për të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për armëpushimin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, e cila u arrit me ndërmjetësimin e SHBA-së, Egjiptit, Katarit dhe Turqisë.

“Kam bërë marrëveshje të mëdha më parë, por kjo ka marrë fluturim si një raketë. Na u deshën 3,000 vjet për të ardhur deri këtu, dhe kjo do të qëndrojë", deklaroi Trump në konferencë për media.

Ai poashtu tha se më parë kishte parashikime që Lufta e Tretë Botërore do të shpërthente në Lindjen e Mesme, por shton se “kjo nuk do të ndodhë.”

Gjatë ceremonisë, Trumpi falënderoi të gjithë liderët për përfshirjen dhe tha se kjo marrëveshje shënon një kthesë historike për Lindjen e Mesme. Trumpi poashtu shtoi se ky grup është përfaqësues i vendeve më të fuqishme në botë.

Lexo përditësimet tjera
trumpi

Trumpi pas nënshkrimit të marrëveshjes në Egjipt: Na u deshën 3.000 vjet për të ardhur deri këtu

Presidenti amerikan Donald Trump udhëtoi drejt Egjiptit për të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për...