Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se pret që armëpushimi në Gazë të arrihet “brenda javës së ardhshme”.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të premten, ai e ka cilësuar të tmerrshme situatën në Gazë, por është shprehur optimist se së shpejti do të ketë armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
“Mendoj se është afër. Sapo fola me njerëzit e përfshirë”, ka thënë presidenti amerikan. “Mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë armëpushimin”.
Ai ka shtuar se SHBA-ja po furnizon Gazën me ndihma dhe ka bërë thirrje që edhe shtete të tjera të dërgojnë ndihma.
Deklarata e Trumpit vjen një ditë pas raportimit se ai dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, janë dakorduar për t’i dhënë fund luftës në Gazë brenda dy javësh dhe që Rripi i Gazës të përfshihet në një marrëveshje në të cilën shtete arabe do të bashkëqeverisnin enklavën.
Lufta në Gazë nisi kur militantët e Hamasit në tetor të 2023-s sulmuan Izraelin duke vrarë rreth 1200 persona e duke marrë një numër pengjesh. Izraeli nisi hakmarrjen dhe deri tash, sipas të dhënave të zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, nga sulmet në Gazë janë vrarë mbi 56 mijë persona.