Botë

Trumpi përsërit se është i zhgënjyer me Putinin, planifikon ndihmë për ukrainasit

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të martën se është "shumë i zhgënjyer" nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe shtoi pa dhënë hollësi se administrata e tij po planifikon të ndërmarrë disa veprime për të ulur vdekjet në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Udhëheqësi republikan ka thënë gjithashtu se nuk ishte i shqetësuar për lidhjet e ngrohta midis Rusisë dhe Kinës.

Trump mbajti një samit me Putinin në Alaska në mesin e gushtit dhe më pas u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit kryesorë të aleancës evropiane dhe të NATO-s në Shtëpinë e Bardhë.

Pas këtyre takimeve, Trumpi tha se priste që Zelensky dhe Putini të zhvillonin një takim dypalësh përpara një takimi trepalësh që do të përfshinte edhe vetë atë. Zelensky ka thënë se Rusia po bënte gjithçka që mundte për të parandaluar një takim midis tij dhe Putinit, ndërsa Rusia thotë se agjenda për një takim të tillë nuk është gati.

"Jam shumë i zhgënjyer nga presidenti Putin, mund ta them këtë, dhe ne do të bëjmë diçka për të ndihmuar njerëzit të jetojnë", ka thënë Trump në një intervistë në The Scott Jennings Radio Show.

Trumpi i ka thënë Zelenskyt se Uashingtoni do të ndihmonte në garantimin e sigurisë së Ukrainës në çdo marrëveshje. Trumpi ka përsëritur gjithashtu kërcënimin për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse nuk ka përparim drejt një zgjidhjeje paqësore në Ukrainë.

Rusia pushton rreth një të pestën e Ukrainës, dhe Trumpi ka thënë se "shkëmbimi i territoreve" dhe ndryshimet në territor do të jenë thelbësore për çdo zgjidhje.

Ukraina kundërshton idenë e njohjes ligjore të çdo territori ukrainas si rus. Por ajo ka pranuar në heshtje se pothuajse me siguri do të duhet të pranojë disa humbje territoriale de facto.

Trump u pyet gjithashtu në intervistë nëse ishte i shqetësuar "për një bosht që po formohet kundër Shteteve të Bashkuara me Kinën dhe Rusinë".

"Nuk jam aspak i shqetësuar. Ne kemi ushtrinë më të fortë në botë, deri më tani. Ata kurrë nuk do ta përdornin ushtrinë e tyre kundër nesh. Më besoni", është shprehur ai.

Presidenti kinez Xi Jinping priti Putinin për bisedime në Kinë këtë javë, duke e quajtur atë "mikun e tij të vjetër".

Xi zhvilloi gjithashtu bisedime të hënën me kryeministrin indian Narendra Modi, vendi i të cilit është shënjestruar nga Trumpi për blerjet e naftës ruse.

Ndërkohë të mërkurën, në Pekin do të mbahet parada e “Ditës së Fitores” në të cilën të pranishëm krahas presidentit kinez, Xi Jinping do të jenë edhe presidenti rus, Vladimir Putin, ai i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, dhe shumë udhëheqës të tjerë botërorë.