Botë

Trumpi thotë se nuk donte “takim të kotë” me Putinin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk donte një "takim të kotë", pak pasi plani për të zhvilluar bisedime ballë për ballë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, rreth luftës në Ukrainë u pezullua.

Presidenti amerikan ka treguar të martën se pikë e rëndësishme e ngërçit ka mbetur refuzimi i Moskës për të ndaluar luftimet përgjatë vijës aktuale të frontit.

Të martën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se ishin pezulluar planet për një takim Trump-Putin "në të ardhmen e afërt".

Trumpi kishte paralajmëruar të enjten se të dy do të zhvillonin bisedime në Budapest brenda dy javësh.

Dallimet kryesore midis propozimeve amerikane dhe ruse për paqe u bënë gjithnjë e më të qarta këtë javë, dhe ato duken se kanë shuar shanset për një samit.

Trumpi dhe Putini janë takuar për herë të fundit në Alaska në gusht, gjatë një samiti të organizuar me nxitim i cili nuk dha rezultate konkrete.

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të shtyrë planet për një takim të dytë Trump-Putin mund të shihet si një përpjekje për të shmangur një skenar tjetër të ngjashëm.

"Mendoj se rusët po kërkojnë shumë dhe u bë e qartë për amerikanët se nuk do të ketë marrëveshje për Trumpin në Budapest", ka thënë një diplomat i lartë evropian për Reuters.

Një takim përgatitor midis sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte planifikuar të mbahej këtë javë - por Shtëpia e Bardhë ka thënë se të dy kanë pasur një telefonatë "produktive" dhe se një takim nuk ishte më "i nevojshëm".

Të hënën, Trumpi ishte pro një propozimi për armëpushim të mbështetur nga Kievi dhe udhëheqësit evropianë për të ngrirë konfliktin në vijën aktuale të frontit.

"Le të ndërpritet ashtu siç është”, ka thënë ai.

Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht ngrirjen e vijës aktuale të kontaktit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se ideja u ishte paraqitur rusëve në mënyrë të përsëritur, por se "qëndrueshmëria e qëndrimit të Rusisë nuk ndryshon" - duke iu referuar këmbënguljes së Moskës për tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga rajonet lindore të konfliktuara.

Zelensky tha se diskutimet rreth vijës së frontit ishin "fillimi i diplomacisë", të cilën Rusia po bënte gjithçka për ta shmangur.

E vetmja temë që mund ta bënte Moskën "t'i kushtonte vëmendje" ishte furnizimi me armë me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën, shtoi ai.

Trump kishte diskutuar një samit në kryeqytetin hungarez në telefon me Putinin, një ditë para se të takohej me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

Disa raportime sugjeruan se këto bisedime kishin qenë një "ndeshje me britma", me burime që sugjeronin se Trump e kishte shtyrë Zelenskyn të hiqte dorë nga zona të mëdha territori në rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura kolektivisht si Donbas, si pjesë e një marrëveshjeje me Rusinë.

Megjithatë, Zelensky gjithmonë ka thënë se Ukraina nuk mund të heqë dorë nga pjesët e Donbasit që ende i mban, me arsyetimin se Rusia mund ta përdorë më vonë zonën si një trampolinë për sulme të mëtejshme.