Botë

Trumpi u vë tarifë shteteve që bashkëpunojnë me Iranin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se shtetet që bashkëpunojnë ekonomikisht me Iranin, do të përballen me tarifë të re prej 25 për qind.

Njoftimi godet edhe Kinën, partnere e madhe tregtare edhe e Iranit edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në fuqi menjëherë, çdo shtet që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë tarifë 25 për qind në çfarëdo tregtie që e bën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Trumpi në “TruthSocial”.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje të tjera.

Postimi ka rritur dilemat se çka do të ndodhë tash në ekonominë botërore.

Njoftimi i Trumpit vjen në mes të përpjekjeve të tij për të “shpëtuar” protestuesit kundër Qeverisë në Iran. Qindra protestues janë vrarë gjatë protestave.

Tarifa e re do të thotë shkallë prej 45 për qind ndaj mallrave prej Kinës. Duke iu përgjigjur vendimit, ambasada kineze në SHBA ka thënë se “kundërshton çfarëdo sanksioni të njëanshëm” dhe se do të bëjë gjithçka që mundet që t’i mbrojë “të drejtat dhe interesat” e veta.

Në 11 muajt e parë të 2025-s, Kina eksportoi mallra në vlerë 6.2 miliardë dollarë në Iran dhe importoi 2.85 miliardë.