Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka njoftuar se personeli ushtarak 30 vjeç e lart do t'i nënshtrohet testimit për mungesë të testosteronit, si pjesë e kontrolleve vjetore shëndetësore.
Në një video të publikuar në platformën X, me mbishkrimin “High-T Department”, Hegseth ka thënë se ka autorizuar programin e testimit për ushtarakët, me qëllim që ata “të kenë nivelin e duhur të testosteronit për të funksionuar me performancën e tyre më të mirë”.
Ushtarakëve që rezultojnë me nivele të ulëta të testosteronit do t’u ofrohet, mbi baza vullnetare, terapi zëvendësuese hormonale. Për personelin nën moshën 30-vjeçare, testimi do të jetë opsional.
Hegseth nuk ka sqaruar nëse programi i testimit do të zbatohet edhe për gratë, të cilave gjithashtu u bien nivelet e testosteronit me kalimin e moshës.
“U detyrohemi luftëtarëve tanë kujdesin më të mirë mjekësor në botë dhe ky program e përmbush këtë detyrim”, ka thënë Hegseth në videon e publikuar të mërkurën.
Edhe
Hegseth largon nga detyra shefin e Shtabit të Ushtrisë amerikane
“Të kujdesesh për shëndetin afatgjatë do të thotë të sigurohesh që të mbetesh i fortë, elastik dhe i aftë, jo vetëm për dislokimin e radhës, por për pjesën tjetër të jetës, në mënyrë që të jetosh mirë edhe shumë kohë pasi të kesh hequr uniformën”, ka shtuar ai.
Përdorimi i testosteronit për arsye jo mjekësore, si për shembull për rritje artificiale të masës muskulore pa recetë të mjekut, është rreptësisht i ndaluar në ushtri.
Hegseth ka theksuar se programi i ri “nuk ka të bëjë me përmirësimin artificial të performancës”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha në një deklaratë se testimi i detyrueshëm për mungesë të testosteronit do të hyjë në fuqi menjëherë për të gjithë personelin aktiv dhe atë rezervë të forcave të armatosura, të moshës 30 vjeç e lart.
“Ky protokoll do t’i mundësojë Departamentit të krijojë një bazë të plotë të të dhënave dhe të ofrojë terapi të synuar me testosteron, duke siguruar ruajtjen e një force luftarake të shëndetshme, të aftë dhe me epërsi vendimtare”, ka thënë Parnell.
I pyetur nëse testimi do të përfshijë si ushtarët ashtu edhe ushtaret, dhe nëse personeli gra do të mund të vlerësohet për terapi me estrogjen gjatë periudhës së perimenopauzës, Pentagoni ka thënë se nuk kishte asnjë koment shtesë përtej deklaratave të Hegseth dhe Parnell.
Senatorja demokrate nga Illinoisi, Tammy Duckworth, veterane e luftës në Irak dhe anëtare e Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, i ka kërkuar sekretarit të Mbrojtjes që testimi hormonal të vihej në dispozicion si për burrat ashtu edhe për gratë.
Njoftimi i Hegsethit vjen pasi sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., dhe zyrtarë të tjerë të administratës kanë kërkuar heqjen e pengesave që u ndalojnë profesionistëve të shëndetit t’u përshkruajnë testosteron burrave.
Edhe
Krizë fertiliteti – studimi zbulon se nivelet e testosteronit te burrat janë përgjysmuar
Sekretari i Shëndetësisë e ka propozuar këtë si një zgjidhje për “krizën kombëtare të fertilitetit”.
Muajin e kaluar, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka kërkuar heqjen e formulimeve lidhur me sigurinë dhe efektivitetin, nga etiketat e produkteve të terapisë zëvendësuese të testosteronit, dhe ka propozuar lehtësimin e kufizimeve për përshkrimin e këtyre produkteve.