Botë

Vaksina e malaries që po “ndryshon” botën

Gana është vendi i parë që ka miratuar një vaksinë të re të malaries që është përshkruar si “ndryshues i botës” nga shkencëtarët që e zhvilluan atë.

Vaksina - e quajtur R21 - duket të jetë jashtëzakonisht efektive, në kontrast të plotë me sipërmarrjet e mëparshme në të njëjtën fushë.

Rregullatorët e ilaçeve të Ganës kanë vlerësuar të dhënat përfundimtare të provës mbi sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës, të cilat nuk janë ende publike, dhe kanë vendosur ta përdorin atë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po shqyrton gjithashtu miratimin e vaksinës.

Malaria vret rreth 620 mijë njerëz çdo vit, shumica prej tyre fëmijë të vegjël.

Ka qenë një ndërmarrje masive, shekullore, shkencore për të zhvilluar një vaksinë që mbron trupin nga paraziti i malaries.

Të dhënat e provës nga studimet paraprake në Burkina Faso kanë treguar se vaksina R21 ishte deri në 80% efektive kur jepej si tri doza fillestare dhe një përforcuese një vit më vonë.

Por përdorimi i gjerë i vaksinës varet nga rezultatet e një prove më të madhe që përfshin gati 5.000 fëmijë.

Këto ishin pritur të ndodhnin në fund të vitit të kaluar, por ende nuk janë publikuar zyrtarisht. Megjithatë, ato janë ndarë me disa organe qeveritare në Afrikë dhe shkencëtarë.

Autoriteti i Ushqimit dhe Barnave i Ganës, i cili ka parë të dhënat, ka miratuar përdorimin e vaksinës te fëmijët e moshës nga pesë muaj deri në tre vjeç.

Vende të tjera afrikane po studiojnë gjithashtu të dhënat, siç është edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Prof Adrian Hill, drejtor i Institutit Jenner në Universitetin e Oksfordit, ku u shpik vaksina, ka treguar se vendet afrikane po deklarojnë se “do ta shohim fillimisht”, pasi kanë mbetur prapa në përhapjen e vaksinave Covid-19 gjatë pandemisë.

“Ne presim që R21 të ketë ndikim të madh në vdekshmërinë e malaries te fëmijët në vitet e ardhshme, dhe në një afat më të gjatë vaksina do të kontribuojë në qëllimin e përgjithshëm përfundimtar të çrrënjosjes dhe eliminimit të malaries”, ka theksuar ai.

Instituti i Serumit të Indisë po përgatitet të prodhojë midis 100-200 milionë doza në vit, me një fabrikë vaksinash që po ndërtohet në Accra, Gana.

Çdo dozë prej R21 pritet të kushtojë disa dollarë.

Adar Poonawalla, shef ekzekutiv i Institutit Serum, është shprehur se zhvillimi i një vaksine për të ndikuar shumë në këtë barrë të madhe të sëmundjes ka qenë jashtëzakonisht e vështirë”.

Ai ka shtuar se Gana, si vendi i parë që miratoi vaksinën, përfaqëson “një moment historik të rëndësishëm në përpjekjet tona për të luftuar malarien në mbarë botën”.

Përktheu: Blerta Haxhiu