Botë

Vetura që shpërthejnë dhe ekzekutime në errësirë, vala e atentateve po trondit Rusinë

Vetura që shpërthejnë dhe ekzekutime në errësirë, vala e atentateve po trondit Rusinë

Që nga nisja e luftës në Ukrainë, Rusia po përballet me një seri shpërthimesh, atentatesh dhe likuidimesh të profilit të lartë, shumë prej tyre në vetë territorin e saj. Sulmi i fundit, i ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në Moskë, ku humbën jetën tre persona, po shihet si një tjetër goditje e shërbimeve sekrete ukrainase në zemrën e Federatës Ruse.

Vetëm një javë më parë, në kryeqytetin rus, në një atentat me bombë të vendosur nën automjet, u vra gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, një nga figurat kyçe të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse. Sulmi i fundit ndodhi rreth orës 01:30 të martën, kur dy policë u vranë teksa iu afruan një personi të dyshimtë pranë një veture policore. Sapo u afruan, vetura shpërtheu.

Megjithëse autorësia e këtyre sulmeve shpesh nuk konfirmohet zyrtarisht, Moska ia atribuon shumicën e tyre Kievit. Ukraina zakonisht hesht, herë pas here lë të kuptohet për përfshirje, ndërsa në raste të tjera i mohon kategorikisht akuzat.

Një listë që po zgjerohet

Që nga shkurti i vitit 2022, janë shënuar dhjetëra atentate të suksesshme ose të dështuara ndaj figurave ushtarake, politike dhe publike ruse, si në territorin e Rusisë ashtu edhe në zonat e pushtuara të Ukrainës. Këto veprime konsiderohen si pjesë e një strategjie presioni ndaj regjimit të Moskës, larg vijës së frontit.

Para Sarvarovit, në prill u vra gjeneral-lejtnant Yaroslav Moskalik, një tjetër figurë kyçe e Shtabit të Përgjithshëm. Në dhjetor 2024 u vra edhe gjeneral-lejtnant Igor Kirillov, përgjegjës për mbrojtjen bërthamore, biologjike dhe kimike, atentat për të cilin më pas përgjegjësinë e mori shërbimi sekret ukrainas SBU.

Lista përfshin gjithashtu oficerë të marinës, zyrtarë në territoret e pushtuara, politikanë, blogerë pro-luftës dhe figura publike që kanë mbështetur hapur agresionin ndaj Ukrainës. Ndër ta edhe Darya Dugina, vajza e ideologut nacionalist Alexander Dugin, vrasja e së cilës në vitin 2022 tronditi opinionin rus dhe shënoi simbolikisht “ardhjen e luftës” në periferi të Moskës.

Askush nuk ndihet i sigurt

Nga atentatet me bomba në vetura deri te ekzekutimet me armë zjarri, mesazhi është i qartë: edhe elitat politike dhe ushtarake ruse nuk janë të paprekshme. Sulmet ndaj blogerëve pro-luftës, politikanëve të arratisur nga Ukraina dhe zyrtarëve të administratave të instaluara nga Moska e kanë zgjeruar edhe më shumë frontin e konfliktit.

Në sfond të kësaj vale atentatesh që po zhvendoset sërish drejt Moskës, qëndrojnë edhe pretendimet për tentativa atentati ndaj vetë presidentit Vladimir Putin, përfshirë incidentin me dronë mbi Kremlin në vitin 2023, të cilin Ukraina e ka mohuar.

Ndërsa lufta në front po ashpërsohet, duket se beteja e fshehtë në prapavijë po bëhet gjithnjë e më brutale – dhe gjithnjë e më e afërt me qendrën e pushtetit rus.