Planeti ka përjetuar vitin e tretë më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në vitin 2025, ndërsa temperaturat mesatare globale kanë tejkaluar nivelin e ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius për tre vjet radhazi, periudha më e gjatë që nga fillimi i matjeve, kanë bërë të ditur të mërkurën shkencëtarët e Bashkimit Evropian.
Të dhënat e Qendrës Evropiane për Parashikime Afatmesme të Motit (ECMWF), tregojnë se tri vjetët e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara në planet, me vitin 2025 vetëm pak më të freskët se viti 2023, për vetëm 0.01 gradë Celsius.
Shërbimi Kombëtar i Motit në Britani, ka konfirmuar se sipas të dhënave që ka, viti 2025 renditet si viti i tretë më i nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1850. Organizata Botërore Meteorologjike pritet t’i publikojë shifrat e saj të mërkurën vonë.
Sipas ECMWF, planeti ka shënuar për herë të parë një periudhë trevjeçare gjatë së cilës temperatura mesatare ka qenë 1.5 gradë celsius mbi nivelin e epokës paraindustriale, kufiri përtej të cilit, shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale do të shkaktojë pasoja të rënda, disa prej tyre të pakthyeshme.
“1.5 gradë Celsius nuk është një prag i menjëhershëm katastrofe. Megjithatë, ne e dimë se çdo fraksion i një grade ka rëndësi, sidomos për përkeqësimin e ngjarjeve ekstreme të fotit”, ka deklaruar Samantha Burgess, udhëheqëse strategjike për klimën në ECMWF.
Qeveritë janë zotuar në kuadër të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015 që të përpiqen të shmangin tejkalimin e ngrohjes globale prej 1.5 gradë Celsius, e matur si mesatare afatgjate krahasuar me epokën paraindustriale.
Por, dështimi për të reduktuar emetimet e gazrave serrë nënkupton se ky nivel mund të tejkalohet para vitit 2030, një dekadë më herë sesa ishte parashikuar në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë ECMWF.
“Ne jemi të destinuar ta kalojmë këtë kufi”, ka deklaruar Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus të BE-së. “Zgjedhja që kemi tani është se si ta menaxhojmë sa më mirë tejkalimin e pashmangshëm dhe pasojat e tij për shoqëritë dhe sistemet natyrore”.
Aktualisht, niveli afatgjatë i ngrohjes globale është rreth 1.4 gradë Celsius mbi epokën paraindustriale, sipas ECMWF-së. I matur në afat të shkurtër, bota e ka tejkaluar tashmë kufirin prej 1.5 gradë Celsius në vitin 2024.
Gjatë vitit 2025, zjarret në Evropë kanë prodhuar nivelin më të lartë të emetimeve të regjistruara ndonjëherë, ndërsa studimet shkencore kanë konfirmuar se disa ngjarje të veçanta të motit janë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike – përfshirë uraganin “Melissa” në Karaibe dhe reshjet monsunore në Pakistan, të cilat shkaktuan vdekjen e më shumë se 1,000 personave nga përmbytjet.
Pavarësisht këtyre pasojave në rritje, shkenca e klimës po përballet me rezistencë gjithnjë e më të madhe politike. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili e ka quajtur ndryshimin klimatik “mashtrimin më të madh”, javën e kaluar u tërhoq nga dhjetëra organizata të OKB-së, përfshirë Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike.
Konsensusi i kahershëm mes shkencëtarëve në mbarë botën është se ndryshimet klimatike janë reale, kryesisht të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor dhe se situata po përkeqësohet. Shkaku kryesor janë emetimet e gazrave serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile si qymyri, nafta dhe gazi, të cilat e mbajnë nxehtësinë në atmosferë.