Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilën ka thënë se ka nënvizuar që Izraeli ka të drejtë të mbrohet.
Von der Leyen ka thënë se Irani është burim kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, sipas saj ekziston nevoja urgjente për zgjidhje të negociuar.
“Po i ndjekim zhvillimet në Lindjen e Mesme me shqetësim të thellë. E përsërita angazhimin tonë për paqe, stabilitet dhe përpjekje diplomatike që çojnë në uljen e tensioneve. Në këtë kontekst, nënvizova se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Evropa ka qenë gjithmonë e qartë: Irani nuk mund të pajiset kurrë me armë bërthamore. Kemi shprehur vazhdimisht shqetësime të forta në lidhje me programet e raketave bërthamore dhe balistike të Iranit - të njëjtat raketa që godasin pa dallim qytetet jo vetëm në Izrael, por edhe në Ukrainë”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
Kryekomisionerja ka shtuar se në këtë bisedë telefonike është diskutuar edhe për Gazën.
“Situata humanitare në Gaza është e papranueshme. E përsërita thirrjen tonë urgjente për të lejuar që të gjitha ndihmat humanitare të arrijnë menjëherë te civilët në nevojë. Rivendosja e armëpushimit dhe lirimi i menjëhershëm i pengjeve, në mënyrë që të arrihet përfundimisht një fund i përhershëm i armiqësive, është domosdoshmëri”, ka shtuar ajo.
