Botë

Vriten pesë gazetarë të Al Jazeera's në sulmin izraelit në Gazë

Anas Al-Sharif

Foto: Al Jazeera

Pesë gazetarë të Al Jazeera’s kanë humbur jetën në një sulm izraelit në afërsi të spitalit Al-Shifa në Gaza City, ka raportuar transmetuesi. 

Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, si dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa ishin në tendë për gazetarë në portën kryesore të spitalit kur ndodhi sulmi, është raportuar nga Al Jazeera. 

“Vrasja e shënjestruar të dielën është edhe një sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”, thuhet në komunikatën e transmetuesit. 

Menjëherë pas sulmit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se kanë shënjestruar Anas al-Sharif, duke shkruar në një postim në Telegram se gazetari kishte “shërbyer si kreu i një celule terroriste në Hamas”, raporton "BBC".

IDF-ja nuk i ka përmendur gazetarët tjerë që u vranë. 

Në total, shtatë persona humbën jetën në sulmin, ka raportuar Al Jazeera. Transmetuesi fillimisht tha se katër anëtarë të stafit të tij u vranë, por pak orë më vonë e ndryshoi shifrën duke raportuar për pesë. 

Drejtori menaxhues i Al Jazeera’s, Mohamed Moawad, i ka thënë BBC-së se al-Sharif ka qenë një gazetar i akredituar dhe “zëri i vetëm” për botën që ta dijë se çfarë po ndodh në Rripin e Gazës. 

Përgjatë luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët e huaj në Gazë për të raportuar lirshëm. Për këtë arsye, shumë mediume bazohen në gazetarët lokalë brenda territorit për raportim. 

“Ata u shënjestruan në tendën e tyre...Fakti është se Qeveria e Izraelit po dëshiron të heshtë raportimet nga brenda Gazës. Kjo është diçka që nuk kam parë në historinë moderne”, tha Moawad për sulmin izraelit. 

Al-Sharif 28-vjeçar në një postim në platformën “X” kishte paralajmëruar për bombardime intensive izraelite në Gaza City. 

Në një komunikatë, IDF-ja ka akuzuar al-Sharifin se ishte maskuar si gazetar dhe se ishte “përgjegjës për sulme të avancuara me raketa kundër civilëve izraelitë dhe trupave të IDF-së”.