Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, i ka thënë presidentit amerikan, Donald Trump se vendet e tyre duhet të jenë “partnerë dhe jo kundërshtarë”, ndërsa presidenti amerikan e ka quajtur Xi-në një “udhëheqës të madh”, ndërsa ata nisën bisedimet të enjten në Pekin.
Trumpi është pritur me nderime të larta nga homologu i tij kinez.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë vizitës dyditore të Trumpit në Kinë, dy liderët pritet të diskutojnë një sërë çështjesh të mprehta, duke përfshirë teknologjinë dhe tregtinë.
Xi i ka thënë Trumpit gjatë takimit bilateral prej më se dy orësh se Tajvani “është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA”.
Media shtetërore kineze ka publikuar komentet e Xi-t që paralajmëronin për një "konflikt" të mundshëm me SHBA-në për shkak të Tajvanit.
Tajvani është një ishull i vetëqeverisur që Pekini e pretendon si territorin e tij dhe nuk e ka përjashtuar marrjen me forcë.
Në vitet e fundit, Pekini ka shtuar stërvitjet ushtarake, duke përfshirë simulimet e bllokadës rreth ishullit, duke shqetësuar autoritetet në Tajvan, si dhe aleatët e ishullit.
Vitin e kaluar, administrata Trump njoftoi shitjen e armëve me vlerë 11 miliardë dollarë për Tajvanin, të cilën Pekini e dënoi në atë kohë dhe paralajmëroi kundër përpara takimit të sotëm.
Ndërkohë, lufta SHBA-Izrael me Iranin dhe kriza globale e energjisë që pasoi do të jenë po ashtu pjesë e vizitës.
Trumpi pritet ta inkurajojë Xi-në që të shtyjë Teheranin, një aleat kinez, të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyç jetësore për tregtinë e naftës.
Në samitin historik, Xi është takuar gjithashtu me udhëheqësit e biznesit amerikan që udhëtuan me Trumpin në Kinë.
Trumpi i ka thënë Xi-së se drejtuesit ekzekutivë, përfshirë Tim Cook dhe Elon Musk, erdhën në Kinë për të “shprehur respektin” dhe për të ndërtuar biznes.
Para mbërritjes së tij në Kinë, Trumpi ka thënë se do t'i kërkojë Kinës të "hapet" ndaj industrisë amerikane.
Pse Xi-ja iu referua një gjenerali të Greqisë së Lashtë në fjalimin e tij drejtuar Trumpit?
Të enjten në Pekin ka nisur zyrtarisht vizita dyditore e presidentit amerikan, Donald Trump në Kinë.
Trumpi është pritur nga Xi-ja në një takim bilateral ndërkohë që teksa ishte ulur në qendër të një tavoline të gjatë përballë presidentit amerikan, presidenti kinez, ka ngritur një pyetje: a mundet SHBA-ja dhe Kina “ta kapërcejnë të ashtuquajturën ‘Kurthi i Tukididit’.”
Kjo referencë lidhet me një vëzhgim të historianit dhe gjeneralit të lashtë grek Tukididi, i cili pohonte se shkaku i Luftës së Peloponezit, që shkatërroi Greqinë e lashtë, ishte ngritja e Athinës që po kërcënonte fuqinë e vendosur të Spartës.
“Kurthi i Tukididit” më pas u shfaq si një teori e thjeshtë: konflikti lind kur një fuqi në ngritje sfidon një fuqi sunduese.
Termi u krijua dhe u përdor në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Kinë nga profesori i Harvardit, Graham Allison, një vizitor i shpeshtë në Kinë.
Në vitin 2017, ai shkroi se “nëse Kina nuk është e gatshme të zvogëlojë ambiciet e saj ose nëse Uashingtoni nuk mund të pranojë të bëhet numri dy në Paqësor, një konflikt tregtar, një sulm kibernetik ose një aksident në det mund të përshkallëzohet shpejt në luftë të plotë”.
Zgjedhja e Xi-së për t’iu referuar “kurthit” në fjalën e tij hyrëse drejtuar Trumpit dërgon një mesazh të qartë për llojin e stabilitetit që udhëheqësi kinez shpreson të shohë në marrëdhëniet mes tyre.
“Nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund ta kapërcejnë të ashtuquajturin ‘Kurthi i Tukididit’ dhe të krijojnë një paradigmë të re të marrëdhënieve mes fuqive të mëdha… këto janë pyetje të historisë, pyetje të botës dhe pyetje të popujve,” i ka thënë Xi Trumpit.
“Ato janë gjithashtu përgjigjet e epokës sonë që unë dhe ju, si udhëheqës të vendeve të mëdha, duhet t’i shkruajmë së bashku”, ka shtuar ai.
Kjo nuk është hera e parë që Xi i referohet “kurthit.” Ai e ka ngritur këtë temë gjatë një vizite në Washington, D.C. në vitin 2015, ku argumentoi se një kurth i tillë nuk është një realitet i pashmangshëm, por një situatë që vendet mund ta krijojnë vetë nëse “bien në keqgjykime strategjike,” sipas mediave shtetërore kineze.