Botë

Zelensky dhe liderët evropianë mbajnë takim virtual sot me Trumpin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Udhëheqësit e Evropës dhe Ukrainës do të flasin me presidentin e SHBA-së Donald Trump në një takim virtual të mërkurën, përpara samitit të tij me Vladimir Putinin.

Trumpi do të presë Putinin për bisedime në Alaska të premten, për të cilat presidenti i SHBA-së ka thënë se do të shërbejnë si një takim "ndjekës" në përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton Reuters.

Trumpi ka rënë dakord javën e kaluar për samitin e parë SHBA-Rusi që nga viti 2021.

Presidenti i SHBA-së thotë se si Kievi ashtu edhe Moska do të duhet të lëshojnë territor për t'i dhënë fund luftës. Trupat ruse kanë pushtuar tashmë pothuajse një të pestën e Ukrainës.

Paparashikueshmëria e mënyrës se si do të zhvillohet samiti ka ushqyer frikën e evropianëve se udhëheqësit e SHBA-së dhe Rusisë mund të marrin vendime me ndikim të gjerë dhe madje të përpiqen ta detyrojnë Ukrainën të arrijë një marrëveshje të pafavorshme.

Mirëpo administrata e Trumpit ka zbutur pritjet të martën për përparim të madh drejt një armëpushimi, duke e quajtur takimin e tij me Putinin në Alaska një "ushtrim dëgjimi".

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën e organizuar nga kancelari gjerman, Friedrich Merz.

Ukraina shpreson që takimi do të shërbejë - të paktën pjesërisht - si një kundërpeshë evropiane ndaj samitit në Alaska.

Zelensky shkon në Berlin për takimin me Trumpin

2 min. më parë / 13 gus 2025 10:01
Friedrich Merz dhe Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Berlinin të mërkurën për t'u bashkuar me kancelarin gjerman, Friedrich Merz për bisedime me udhëheqësit evropianë dhe amerikanë përpara samitit Trump-Putin më vonë këtë javë, ka thënë qeveria gjermane.

Merzi ka organizuar një seri takimesh virtuale të mërkurën në një përpjekje për të dëgjuar zërin e udhëheqësve evropianë dhe ukrainas përpara një samiti nga i cili ata janë lënë mënjanë, raporton AP.

Zelensky pritet të takohet fillimisht me udhëheqësit evropianë, në përgatitje të një telefonate virtuale me presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance rreth një orë më vonë.

Një telefonatë midis udhëheqësve të vendeve të përfshira në "koalicionin e të vullnetshmëve" - ata që janë të përgatitur të ndihmojnë në kontrollin e çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje midis Moskës dhe Kievit, do të zhvillohet e fundit.

Të mërkurën, Merzi është zotuar të ndihmojë Ukrainën të zhvillojë sistemet e veta të raketave me rreze të gjatë veprimi që do të jenë të lira nga çdo kufizim i imponuar nga Perëndimi në përdorimin dhe objektivat e tyre, ndërsa qeveria e Kievit lufton për të sprapsur pushtimin e Rusisë.

Zelensky ka vizituar për herë të fundit Berlinin në fund të majit.

Takimi Trump-Putin do të zhvillohet të premten në Alaska.