Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të martën se dinamika e punës lidhur me garancitë e sigurisë për Ukrainën e pas luftës, duhet të përshpejtohet.
Zelensky e ka bërë deklaratën pas një takimi që ka pasur me ushtrinë, ku ka marrë përditësimin mbi situatën në vijën e parë të frontit, raporton The Guardian.
Ai ka theksuar punën që po bëhet në rajonet Donetsk dhe Zaporizhia dhe nevojën për "furnizime shtesë për këto zona".
"Do të ketë takime dhe kontakte pune më të rëndësishme gjatë javës. U vu re se dinamika e punës duhet të përshpejtohet", ka thënë ai.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thuhet se ka pranuar garanci të sigurisë për Ukrainën me marrëveshjen për fundin e luftës. Këto garanci mund të jenë në formë të nenit 5 të NATO-s për mbrojtjen.
Por pas takimit që presidenti amerikan, Donald Trump ka pasur me Zelenskyn dhe liderët kryesorë evropianë javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka pasur përparim sa i përket bisedimeve të paqes.