Botë

Zelensky: Rusia e ka në shënjestër NATO-n, ne jemi vija e parë e mbrojtjes

Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka paralajmëruar të enjten vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se duhet të kuptojnë që lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, e ka në shenjestër kryesisht NATO-n dhe “botën e civilizuar”, teksa Ukraina është “thjesht vija e parë” e sulmit.

“Çdo vijë është e rëndësishme, por më e rëndësishmja është vija e parë, sepse nëse ajo dështon, atëherë dështon gjithçka”, ka thënë ai gjatë një adresimi përmes videolidhjes në konferencën Globsec, që po mbahet në Pragë të Çekisë.

Ai ka argumentuar se mbështetja për Ukrainën nënkupton “siguri për të gjithë Evropën”.

“NATO-ja është aleat i besueshëm, por fakti se Ukraina qëndron këtu dhe nuk e lejon luftën që të zgjerohet, kjo përbën garanci të fort sigurie për të gjithë Evropën, dhe si rrjedhojë Ukraina duhet të fuqizohet”, ka shtuar Zelensky.

Lideri ukrainas ka kritikuar gjithashtu homologun rus, tek ka thënë se Putini është në gjendje që të sakrifikojë jetët, sipas tij, të mbi 1 milionë rusëve të vrarë në luftë deri më tani, vetëm e vetëm për të përmbushur “fantazitë e tij të sëmura gjeopolitike”.

“Një milion jetë të humbura, dhe prapë, ata po bëjnë gjithçka për të shmangur fundin e luftës. Ata madje injorojnë Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Trump”, ka vazhduar ai.