Botë

Zelensky: Rusia s’duhet të shpërblehet për luftën në Ukrainë

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dënuar një sulm rus në një kompleks banimi në Kharkiv gjatë orëve të hershme të së hënës, ndërsa ka thënë se Rusia “s’duhet të shpërblehet” për luftën në Ukrainë, raporton “BBC”. 

Në një postim në “X”, Zelensky ka thënë se Rusia është në dijeni se sot mbahet në Washington një takim për t’i dhënë fund luftës dhe po i sulmon rajonet e Kharkivit, Zaporizhzhias, Sumyt dhe Odesas të hënën. 

“Makineria ruse e luftës po vazhdon të shkatërrojë jetë përkundër çdo gjëje. Putini do t’i kryejë vrasjet për ta mbajtur presionin mbi Ukrainën dhe Evropën, si dhe për të përdhosur përpjekjet diplomatike”, ka shkruar Zelensky. 

“Kjo është pikërisht pse po kërkojmë ndihmë për t’i dhënë fund vrasjeve. Kjo është arsyeja pse kërkohen garanci të besueshme sigurie. Kjo është arsyeja pse Rusia s’duhet të shpërblehet për pjesëmarrjen e saj në këtë luftë”, ka shtuar ai.

Disa orë pasi Zelensky arriti në Washington për takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, sulmet ruse në qytetet Kharkiv dhe Zaporizhzhia lanë 10 të vdekur dhe dhjetëra të lënduar, kanë njoftuar autoritetet lokale. 

“Kjo është arsyeja pse Putini s’do armëpushim. Ai shijon bombardimin e qyteteve paqësore, ndërsa flet për dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë Andriy Yermak, shef i stafit të Zelenskyt.