Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se Rusia mund të jetë duke përgatitur një sulm të ri, duke përdorur stërvitjet ushtarake në Bjellorusi si mbulesë.
Në një videofjalim të martën, Zelensky ka vërë në dukje se "zakonisht kështu fillojnë një sulm të ri" duke shtuar se të gjithë duhet të qëndrojnë gati, raporton AP.
"Dhe shikoni Bjellorusinë - Rusia po përgatit diçka atje këtë verë, duke përdorur stërvitjet ushtarake si mbulesë. Zakonisht kështu fillojnë një sulm të ri. Por ku do të shkojë? Nuk e di. Ukrainë? Lituani? Poloni? Zoti mos e bëft! Por ne të gjithë duhet të jemi gati", është shprehur ai.
Udhëheqësi ukrainas i ka bërë komentet përpara Samitit të Tri Deteve, një forum i cili bashkon 12 shtete anëtare të Bashkimit Evropian të vendosura midis Detit Baltik, të Zi dhe Adriatik, pasi grupimi i vendeve kryesisht ish-komuniste synon të forcojë lidhjet, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Rusia ka goditur zonat civile të Ukrainës me dronë në një tjetër sulm vdekjeprurës natën e së hënës, kanë thënë zyrtarët të martën, ndërsa zyrtarët e Kievit kanë hedhur poshtë deklaratën e presidentit rus, Vladimir Putin, për një armëpushim të njëanshëm 72-orësh javën e ardhshme si një përpjekje "për të mashtruar Shtetet e Bashkuara".
Putini ka njoftuar të hënën armëpushimin e përkohshëm.
Megjithatë, ai nuk ka ofruar detaje se si do të monitorohet armëpushimi, i cili do të fillojë më 8 maj dhe do të zgjasë deri në fund të 10 majit.
Armëpushimi do të mbahet për të shënuar humbjen e Gjermanisë naziste ndaj Moskës në vitin 1945, e njohur si Dita e Fitores.
Rusia ka refuzuar në mënyrë efektive një propozim të SHBA-së për një ndalesë të menjëhershme dhe të plotë 30-ditore të luftimeve duke vendosur kushte të gjera.
Ukraina e ka pranuar atë, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka intensifikuar përpjekjet për t'i dhënë fund luftimeve, por ai ka shprehur skepticizëm fundjavën e kaluar për angazhimin e Putinit për të negociuar një marrëveshje paqeje mes sulmeve të vazhdueshme ndaj Ukrainës.
Ai ka thënë se dyshonte se lideri rus mund të përpiqej ta mashtronte atë.