Botë

Zelensky zotohet të vazhdojë të luftojë, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë në një videoadresim herët të dielën se Ukraina do të vazhdojë të luftojë për pavarësinë e saj.

Deklarata e tij vjen në ditën kur Ukraina feston shpalljen e pavarësisë së vendit nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

"Ne kemi nevojë për një paqe të drejtë, një paqe ku e ardhmja jonë do të vendoset vetëm nga ne. Ukraina nuk do të presë gjeste vullneti të mirë. Kur Rusia dëshiron të marrë rajonin e Sumy-t, atëherë forcat tona të armatosura shfaqen në rajonin e Kurskut. Kur armiku godet sistemin tonë energjitik, duke dashur të na lërë pa dritë dhe ngrohje, atëherë rafineritë e saj të naftës digjen. Dhe kështu godet drejtësia, kështu godet Ukraina kur thirrjet e saj për paqe nuk dëgjohen. Ukraina nuk ka fituar ende, por sigurisht që nuk ka humbur”, ka thënë Zelensky ndër të tjera.

I dërguari i SHBA-së Keith Kellogg ishte i pranishëm në festimet e Ditës së Pavarësisë në Kiev, ka bërë të ditur Zelensky, ndërsa kryeministri i Kanadasë Mark Carney mbërriti në qytet të dielën në mëngjes për të takuar presidentin ukrainas. Dyshja pritet të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp.

"Në këtë ditë të veçantë - Ditën e Pavarësisë së Ukrainës - është veçanërisht e rëndësishme për ne të ndiejmë mbështetjen e miqve tanë. Dhe Kanadaja ka qëndruar gjithmonë pranë nesh", ka shkruar në Telegram Andriy Yermak, shefi i stafit të Zelenskyt.