Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, ka thënë se populli i tij do të zgjidhte Danimarkën në vend të SHBA-së nëse do t'u kërkohej të bënin një zgjedhje të tillë "këtu dhe tani".
Komenti i Frederik Nielsen i bërë në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksën, është më i forti nga një përfaqësues i territorit gjysmë-autonom danez që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump ripërsëriti planin e tij për ta aneksuar atë.
"Nëse duhet të zgjedhim midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës këtu dhe tani, ne zgjedhim Danimarkën", ka thënë ai.
"Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë. Grenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi të Shteteve të Bashkuara. Grenlanda nuk dëshiron të qeveriset nga Shtetet e Bashkuara. Grenlanda nuk dëshiron të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara", ka shtuar ai.
Trumpi thotë se SHBA-ja duhet të "zotërojnë" Grenlandën për t'u mbrojtur nga Rusia dhe Kina.
Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar blerjen e ishullit, por nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta aneksuar atë.
Danimarka është një anëtare tjetër e NATO-s dhe kryeministrja Frederiksen ka paralajmëruar se përdorimi i forcave ushtarake do të shënonte fundin e aleancës mbrojtëse transatlantike.
Kryeministri i Grenlandës ka shtuar se ata po "përballen me një krizë gjeopolitike", por se qëndrimi i ishullit ishte i qartë.
Konferenca për shtyp në Kopenhagë vjen një ditë para se ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen dhe homologia e tij e Grenlandës Vivian Motzfeldt të udhëtojnë në SHBA për të takuar zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.