Botë

Zhgënjim në Kiev pasi Zelenksy lë Shtëpinë e Bardhë duarbosh

Zelensky Trump

Pas një vizite të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përball me një pritje të ftohtë dhe pa rezultatet që priste, mes tyre mbështetjen për raketat “Tomahawk”. Takimi me Donald Trumpin qe i tensionuar, duke zbehur pritshmëritë ukrainase për ndihmën

Një fjalë bie në sy nga përshkrimi që bëri udhëheqësi ukrainas për vizitën e tij më të fundit me rëndësi të madhe në qendrën e pushtetit amerikan.

Në platformën X, Volodymyr Zelensky ka shkruar se biseda e tij në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Donald Trump ishte “e drejtpërdrejtë”. Por nuk ka nevojë të analizohet shumë fjala që ai zgjodhi për të kuptuar se ky takim nuk ishte ajo që pala ukrainase kishte shpresuar.

Nëse thënia e vjetër britanike është e vërtetë - që një javë është kohë e gjatë në politikë, atëherë Zelensky duket se ka thyer rekord. Një udhëtim i shkurtër përtej Atlantikut, duket se ka ndryshuar gjithçka.

Kur po niseshin për në Uashington të enjten, pala ukrainase ishte plot shpresë.

Ruslan Stefanchuku, kryetari i Parlamentit Ukrainas, në thelb njeriu i dytë më i fuqishëm në vend  dhe një politikan shumë besnik ndaj Zelenskyt, pak para se avioni i presidentit të nisej, e përshkroi udhëtimin si “moment historik shumë të rëndësishëm”.

Takimi, siç tha ai, do t’ia bënte botës të qartë se Trump “më në fund e kupton se Putini është gënjeshtar, nuk mund t’i besohet, dhe se duhen veprime për ta ndalur luftën”.

Ai madje sugjeroi se çështja më e rëndësishme për Ukrainën - nëse Trump do të pranonte që Ukraina të përdorte raketat amerikane me rreze të gjatë “Tomahawk”- ishte afër zgjidhjes.

Por pikërisht kur avioni i Zelenskyt ishte në ajër, filluan të dalin lajmet për një telefonatë dy orë e gjysmë mes Trumpit dhe Putinit, dhe para se avioni të zbriste në Uashington, u njoftua se do të mbahej një tjetër samit mes tyre.

Ukrainasit zbritën nga avioni dhe u pritën me një mikpritje të ftohtë nga amerikanët, ndërsa optimizmi i tyre, ashtu si një valixhe e humbur, kishte mbetur diku gjatë rrugës.

Vetëm disa javë më parë, presidenti amerikan dukej sikur po humbiste durimin me presidentin rus Vladimir Putin - ai tha se mendonte se Putini po e mashtronte, se sulmet e tij ndaj Ukrainës ishin “të çmendura” dhe se ai po bëhej “shumë i zemëruar” me të.

Por takimi i së premtes tregoi se ajo ndjenjë frustrimi kishte ikur.

“Mendoj se Putini do të bëjë një marrëveshje”, tha Trump, dhe më pas përsëriti disa nga argumentet e tij të vjetra, duke e paraqitur konfliktin si një problem personal mes dy liderëve. “Ka shumë armiqësi”, tha ai.

Zelensky ka mësuar nga përvoja e hidhur se ka rreziqe të mëdha të dukesh si dikush që sfidon Trumpin brenda mureve të Shtëpisë së Bardhë.

Prandaj, tensioni i fshehur ishte përsëri i ndjeshëm, ndërsa Trump, sekretari i tij i Shtetit, sekretari i Mbrojtjes dhe sekretari i Thesarit shikonin me seriozitet, dhe anëtarë të rëndësishëm të mediave që mbështesin MAGA (Make America Great Again) u mblodhën pas karriges së tij.

Sikurse pritej, Zelensky u përpoq ta lavdëronte vendin si zgjidhës konflikti dhe përsëri shprehu mirënjohjen e tij.

Fjalët e bukura janë monedha e diplomacisë në Uashington sot.

Por Zelensky gjithashtu bëri të qartë se ai nuk besonte ashtu si Trumpi se Rusia po vepron me sinqeritet.

“Ne kuptojmë që Putini nuk është i gatshëm”, tha ai.

Megjithatë, rezultati duket se ishte i paracaktuar.

Trump përfundoi ditën duke insistuar që lufta thjesht të bllokohet në vijat aktuale të frontit dhe të dy palët të “kthehen në shtëpi te familjet e tyre”.

Për Ukrainën dhe aleatët e saj, ky konflikt nuk është një mosmarrëveshje personale, por një luftë agresioni e filluar nga një shtet autoritar, me ambicie perandorake, kundër një demokracie evropiane.

Ukraina dëshiron raketa “Tomahawk” amerikane për t’i bërë presion Putinit që të hyjë në bisedime të sinqerta, dhe dëshiron garanci sigurie nga SHBA-ja që Putini të detyrohet të respektojë çdo marrëveshje paqeje të ardhshme.

Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa asnjërën prej këtyre gjërave.

E në një periferi të Kievit, që u godit së fundmi nga dy raketa ruse, BBC-ja intervistoi disa banorë që akoma punojnë për të riparuar dëmet në shtëpitë dhe bizneset e tyre.

Volodymyr Tsepovatenko - ende po i rregullon dritaret që i shpërthyen në dyqanin e vogël që e zotëron.

“Nëse bëjmë tani një marrëveshje paqeje”, tha ai, “Rusia do të fillojë të përgatisë një luftë të re, më profesionale, kundër Ukrainës, ose ndoshta ndaj vendeve të tjera”.

“Unë shoh një rrugë për sigurinë tonë: duhet të shkatërrojmë mundësinë që Rusia të pushtojë apo të luftojë ndonjë vend në Evropë”, tha ai për takimin e fundit Trump-Zelensky.

Sipas tij, Ukraina duhet të vazhdojë të luftojë.

Makinën e Oleksandr Vilkos e shkatërruan raktetat ruse. Ai thotë se nuk shqetësohet shumë për vendimin për “Tomahawkët”.

“E vetmja forcë që vendos se çfarë do të ndodhë më tej është ushtria jonë”, tha ai.

Përderisa Ukraina është mirënjohëse për çdo ndihmë deri tani, ai tha se është e drejtë sovrane e Uashingtonit të vendosë nëse do t’i japë Ukrainës raketa të rreze të gjatë apo jo.

Por me ose pa to, ukrainasit do të vazhdojnë të luftojnë, tha ai.

“Po bëhet pothuajse viti i katërt i luftës me vendin më të madh në botë”, tha ai. “Dhe megjithatë ne mbijetojmë disi”.