Botë

Zvicra voton për herë të dytë për kartat elektronike të identitetit

Flamuri zviceran

Foto: Associated Press

Në Zvicër të dielën po zhvillohet votimi për të vendosur nëse do të futen kartat elektronike të identitetit.

Ky është votimi i dytë mbarëkombëtar mbi këtë çështje, pasi votuesit e hodhën poshtë idenë në vitin 2021 për shkak të shqetësimeve në lidhje me mbrojtjen e të dhënave dhe shqetësimit se sistemi i propozuar do të drejtohej kryesisht nga kompani private.

Sipas propozimit të rishikuar, sistemi i ri do të mbetet tërësisht opsional dhe në duart e publikut, teksa të dhënat në kartat elektronike të identitetit do të ruhen në telefonat inteligjentë të përdoruesve dhe jo në mënyrë qendrore.

Ky votim vjen ndërsa qeveria e Mbretërisë së Bashkuar këtë javë njoftoi planet për të futur kartën e saj dixhitale të identitetit si pjesë e përpjekjeve për të frenuar numrin e migrantëve të paligjshëm që jetojnë dhe punojnë në vend, raporton BBC.

Plani i Zvicrës është miratuar tashmë nga të dy dhomat e Parlamentit, dhe qeveria zvicerane rekomandon një votë "po".

Qytetarët ende mund të zgjedhin të mbështeten në një kartë identiteti fizike kombëtare, e cila ka qenë standarde në Zvicër për dekada të tëra. 

Për të lehtësuar shqetësimet për privatësinë, një autoritet i caktuar që kërkon informacion mbi një person - siç është për shembull prova e moshës ose kombësisë - do të jetë në gjendje të kontrollojë vetëm ato detaje specifike.

Mbështetësit thonë se sistemi do ta bëjë jetën shumë më të lehtë për të gjithë, duke lejuar që një sërë procedurash burokratike - nga marrja e një kontrate telefonike deri te vërtetimi se jeni mjaftueshëm i vjetër për të blerë një shishe verë, të ndodhin shpejt në internet.

Por Zvicra ka një traditë të gjatë në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve të saj. Ligjet e sekretit bankar, tani shumë të detajuara, u hartuan për të mbrojtur financat personale të një individi nga sytë kureshtarë të shtetit.

Për vite me radhë, Google Street Vieë ishte i diskutueshëm në Zvicër - dhe madje edhe sot, pas një vendimi nga Gjykata Federale Zvicerane, imazhet e marra pranë shkollave, strehimoreve të grave, spitaleve ose burgjeve duhet të turbullohen automatikisht para se të dalin në internet.

Gjithashtu, ka shumë më pak kamera CCTV në Zvicër sesa në shumë nga fqinjët e saj evropianë.

Kundërshtarët e kartave dixhitale të identitetit, të cilët mblodhën mjaftueshëm nënshkrime për të detyruar një referendum tjetër mbi këtë çështje, argumentojnë se kjo masë mund të dëmtojë ende privatësinë individuale.

Ata gjithashtu kanë frikë se, pavarësisht kufizimeve të reja se si mblidhen dhe ruhen të dhënat, ato ende mund të përdoren për të gjurmuar njerëzit dhe për qëllime marketingu.

Megjithatë, sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se këtë herë, votuesit mund të jenë të gatshëm t'u japin një shans dokumenteve elektronike të identifikimit.