Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Katër superfuqi të futbollit në çerekfinale, a do të ketë të tjera befasi?

Franca Mbappe Olisse

Tetë ekipe përfaqësuese kanë mbetur në garë për trofeun e Kupës së Botës në futboll. Në radhë janë ndeshjet çerekfinale, ndërsa në këtë fazë kanë arritur katër përfaqësueset që ishin të parat në renditjen e FIFA-s para se të niste Botërori.

Janë edhe dy përfaqësuese të tjera që zënë vend në Top-10 të ranglistës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Franca vlerësohet favoritja kryesore e bastoreve, e ndjekur nga Spanja dhe kampionia në fuqi, Argjentina. Anglia vlerësohet e katërta prej favoriteve, kurse më pak gjasa, sipas bastoreve, kanë Norvegjia, Belgjika, Zvicra dhe Maroku.

Franca – Maroku

(e enjte, 22:00 - Boston)

Franca ishte dominante në grup, duke fituar 3:1 ndaj Senegalit, 3:0 ndaj Irakut dhe 4:1 ndaj Norvegjisë, që megjithatë u paraqit pa yjet e saj. Në raundin e parë nokaut francezët fituan 3:0 ndaj Suedisë, ndërsa më pas u sfiduan nga loja e ndyrë dhe goxha e ashpër e Paraguait. Por me fitore 1:0 avancuan në çerekfinale.

Ndeshja e Francës me Marokun mund të jetë çerekfinalja më e zjarrtë.

Maroku po ashtu kishte Botëror të shkëlqyer deri më tani. Dominoi por megjithatë u ndal në barazim 1:1 nga Brazili. Më pas fitoi 1:0 ndaj Skocisë dhe 4:2 ndaj Haitit. Maroku ka pasur rrugë të vështirë më pas. Fitoi me penallti ndaj Holandës, kurse e mposhti 3:0 Kanadanë në 1/8 e finales, ndonëse në pjesën e parë dëshpëroi. Maroku po e kërkon gjysmëfinalen për herë të dytë, por megjithatë Franca llogaritet favorite.

Spanja – Belgjika

(e premte, 21:00 – Los Angeles)

Barazimi befasues me Kepin e Gjelbër si duket vetëm e përgatiti Spanjën për të përballuar ndeshjet e vështira. Spanja më pas fitoi 4:0 ndaj Arabisë saudite dhe 1:0 ndaj Uruguait. Në raundin e parë nokaut spanjollët nuk patën telashe ndaj Austrisë, 3:0, kurse në një të tetën e finales e eliminuan Portugalinë me golin e Mikel Merinos në minutën e 91-të.

Belgjika nuk ka shkëlqyer, por ia doli të bëhet pjesë e tetë përfaqësueseve më të mira të Botërorit. Pas barazimit 1:1 me Egjiptin, belgët barazuan pa gola me Iranin dhe më

pas fituan 5:1 ndaj Zelandës së Re për ta fituar grupin. Në raundin e parë nokaut Belgjika fitoi 3:2 ndaj Senegalit në vazhdime, ndonëse ishte duke pësuar 2:0 deri në minutën e 86-të. Më së lehti kaloi ndaj SHBA-së në 1/8 e finales, duke fituar 4:1.

Favorite vlerësohet Spanja, shkruan AP.

Norvegjia – Anglia

(e shtunë, 23:00 – Miami)

Autsajderja e çerekfinales është Norvegjia. Por kjo përfaqësuese është komentuar shumë gjatë këtij Botërori, me Erling Haalandin e shkëlqyer dhe me festimin “Viking Row” që u bë i famshëm në gjithë botën. Haalandi shënoi golin e gjashtë dhe të shtatë në këtë Botëror, për të eliminuar Brazilin në një të tetën e finales. Për herë të parë Norvegjia ka arritur në çerekfinale.

Anglia nuk ka shfaqur më të mirën, por e kaloi Meksikën në një të tetën e finales në ndeshjen e vështirë në “Azteca”. Entuziazmi është rritur tek anglezët dhe ata vlerësohen favoritë të lehtë.

Argjentina – Zvicra

(e diel, 03:00 – Kansas City)

Lionel Messi arrin në çerekfinale si golashënuesi më i mirë i Botërorit me tetë gola. Ai tashmë ka arritur në shifrën e 21 golave në Kampionate Botërore. I ka dy më shumë se Kylian Mbappe që është i dyti. Messi shkëlqeu të martën kur duhej më së shumti dhe udhëhoqi Argjentinën drejt përmbysjes së rezultati ndaj Egjiptit për fitore 3:2. Egjiptianët patën ankesa të shumta për referimin, por janë argjentinasit që përgatiten për ndeshjen çerekfinale.

Zvicra ka shënuar nëntë gola në pesë ndeshje, ndërsa është bazuar shumë në lojën defenzive dhe vendosjen taktike për të arritur në çerekfinale. Në një të tetën e finales fitoi me penallti ndaj Kolumbisë. Zvicra është në çerekfinale për herë të parë që nga viti 1954. Argjentina vlerësohet favorite.

Në gjysmëfinalen e parë takohen fituesit e ndeshjeve Franca – Maroku dhe Spanja – Belgjika.

Gjysmëfinalja tjetër vë përballë fitueset e ndeshjeve Norvegjia – Anglia dhe Argjentina – Zvicra.