Ka shumë arsye për ta pritur me interesim maksimal gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Francës dhe Spanjës. Njëra prej arsyeve është që dy prej më të mirëve në botë, Kylian Mbappe e Lamine Yamal janë në ekipe kundërshtare.
Kjo është përballja e tyre e parë në Kupën e Botës. Por tashmë Mbappe e Yamal kanë një histori të përballjeve si në nivel përfaqësuesesh ashtu edhe në nivel klubesh.
Gjysmëfinalja e parë e Botërorit, mes Francës dhe Spanjës, zhvillohet të martën prej orës 21:00 në Dallas.
Me përfaqësuese, Yamal e Mbappe janë përballur dy herë. Në të dy rastet ishin ndeshje gjysmëfinale.
Në Euro 2024, Spanja fitoi 2:1 ndaj Francës falë një goli të Yamalit. Një vit më pas ata u përballën në Gjermani në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Spanja fitoi sërish ndaj ekipit të Didier Deschampsit. Superndeshja i ofroi nëntë gola. Dy prej tyre i shënoi Yamali, kurse Mbappe e kishte një.
Edhe
Gjysmëfinalet me yje të mëdha dhe rivalë të vjetër
Për herë të parë Mbappe dhe Yamal janë ballafaquar më 10 prill 2024 në Parkun e Princave në Paris. PSG-ja, për të cilën skuadër ende luante Mbappe, luajti me Barcelonën e Yamalit. Barça fitoi 3:2, por në ndeshjen e kthimit ishte dita e Mbappes. Dy golat e tij ndihmuan parisienët të fitojnë 4:1 dhe të kalojnë në gjysmëfinale të Championsit.
Prej kur kapiteni i Francës, Mbappe, kaloi te Real Madridi në vitin 2024, dy yjet janë ndeshur gjashtë herë. Në ndeshjet eliminatore, Barcelona e Yamalit ishte dominuese. Barcelona i fitoi dy finale të Superkupës së Spanjës, në vitin 2025 dhe 2026. Në finale të Kupës së Spanjës në vitin 2025, Mbappe përsëri ishte në anën humbëse. Goli i tij nga goditja e dënimit nuk mjaftoi në disfatën 3:2 pas vazhdimeve.
Në La Liga rivaliteti Mbappe – Yamal është parë tri herë. Dy ndeshjet e para i ka fituar Yamali, ndonëse në të dytën Mbappe shënoi “hat-trick” në disfatën 4:3. Yamali e shënoi njërin nga golat e fitores.
Në tetor 2025 Mbappe e Yamal u takuan për herë të fundit në nivel klubesh. Mbappe shënoi sërish, ndërsa Real Madridi fitoi 2:1.
Gjithsej dy super-futbollistët janë përballur dhjetë herë. Tetë fitore i ka Yamali. Gjatë këtyre ndeshjeve Mbappe i ka shënuar nëntë gola, ndërsa Yamal gjashtë.
18-vjeçari Yamal e ka vetëm një gol në Botëror.
“Fakti që nuk kam shënuar nuk më bënë nervoz”, ka thënë Yamal. “Unë e fitova Evropianin pasi shënova vetëm një gol. Nëse e fitoj edhe Kupën e Botës nuk mendoj se njerëzit do të interesohen shumë nëse kam realizuar gola”.
Edhe
Mbappe – Hakimi, përballja e miqve në çerekfinale
Mbappe ishte 19-vjeçar në Botërorin 2018, kur i luajti shtatë ndeshje dhe i shënoi katër gola. U shpall lojtari më i mirë i ri i atij Botërori.
Mbappe në Botërorin në SHBA, Kanada dhe Meksikë është i pandalshëm. I ka tetë gola tashmë.