COSMO

Potenciali i pashfrytëzuar turistik i Prizrenit

Prizren

Ndërtimi i teleferikut që çon në kalanë e Prizrenit ishte një ndër zotimet kryesore të udhëheqësit aktual lokal, Shaqir Totaj. Por, kësaj pune, që duhet të kryhej gjatë këtij mandati, për gati 4 vjet nuk iu bë as projekti. Totaj që vjen nga radhët e PDK-së, e që është kandidat edhe për një mandat, thotë se çka nuk u bë në këto katër vjet do të bëhet në katër të tjerat. Partitë opozitare e akuzojnë për mospunë, korrupsion e nepotizëm

Përpjetë e mundimshme, nëpër rrugica të shpeshta gurësh, me kthesa shumë shkallore është udha që duhet të përshkohet deri te simboli i Prizrenit.

Kalaja mijëvjeçare që i qëndron qytetit si kurorë, është destinacioni kryesor, kur turistët zbarkojnë në këtë rajon.

Fortesa me mure gurësh e me hapësirë hektarëshe është pika kryesore nga ku mundësohet soditja e kryeqytetit historik e kulturor të shqiptarëve.

Rruga deri te ajo ka vjet që synohet të reduktohet.

Një udhëtim në ajër për një udhëtim në kohë, ishin premtimet dekadëshe të njerëzve që udhëhoqën këtë komunë.

Supozohej që një kabinë udhëtarësh e varur në litarë të çeliktë, të ngrihej për në kala e të lëshohej poshtë sa herë që dikush do të donte t’ia kushtonte një vizitë.

Interesi do të ishte i dyanshëm.

Por, investimi fitimprurës në aspektin kulturor e ekonomik nuk u bë kurrë.

Ndërtimi i teleferikut që çon në kalanë e Prizrenit ishte një ndër zotimet kryesore edhe të udhëheqësit aktual lokal, Shaqir Totaj.

Por, kësaj pune, që duhet të kryhej gjatë këtij mandati, për gati 4 vjet nuk iu bë as projekti.

Totaj që vjen nga radhët e PDK-së, e që është kandidat edhe për një mandat, thotë se çka nuk u bë në këto katër vjet do të bëhet në katër të tjerat.

“Projekti për Teleferikun në kala nuk është realizuar si pasojë e vonesës së Sëiss Contactit për me na përgatitë projektin final implementues”, ka thënë Totaj.

Por, përveç ndërtimit të teleferikut që do ta zhvillonte Prizrenin si atraksion turistik opozita e kësaj komune numëron edhe premtime të tjera që kryetari dha dhe nuk i realizoi për turizmin.

Akuzat e opozitës

Karanfil Haxhillari, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, thotë se për trashëgiminë kulturore dhe turizmin më shumë bëri niveli qendror sesa ai lokal.

“Ka premtuar dhjetë fshatra turistikë, as që bëhet fjalë dhe as që ka bërë ndonjë gjë në këtë drejtim.. Në Prizren e kemi Drejtorinë për Turizëm, deri sot asnjë investim edhe më i vogël nuk është bërë sa i përket trashëgimisë kulturore, ruajtjes së monumenteve, përpos vendosjes së disa pllakave nëpër trotuare dhe në rrugë. Por investim në ndërtesa apo në mirëmbajtje të trashëgimisë kulturore - zero. Vetë buxheti i kësaj drejtorie tregon se sa seriozë kanë qenë për turizmin kulturor në Prizren”, ka thënë Haxhillari.

E kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi, thotë se Komuna nuk arriti të krijojë së paku as vendparkingje për turistët.

“Turistët me dyndjen e tyre në Prizren sillen vërdallë pa pasur mundësi me e shiju mbarë e mirë qytetin e Prizrenit, sepse edhe transporti i tyre bëhet me autobusë, lirohen aty te ura e gurit ose te pjesa e mësipërme dhe bllokohet totalisht unaza që është arteria kryesore e qytetit, në mungesë të vend parkingjeve për me i akomodu këta turistë që janë fatmirësisht të shumtë”, është shprehur Krasniqi.

Por, versioni i kryetarit të Komunës është më pozitiv. 
Ai thotë se me punën në sheshin “Shatërvan” e me sjelljen e festivaleve të reja, qeverisja aktuale lokale e ka promovuar shumë më shumë Prizrenin.

“Me një lidership të mirë dhe me një menaxhment të mirë dhe me projektet që ne tashmë i kemi realizuar kemi ndikuar dukshëm në promovim të qytetit të Prizrenit. E përmenda më herët rekonstruktimin e sheshit të Shëndërvanit. Kalldrëmi është rregullu komplet, infrastruktura nëntokësore është rregulluar komplet...Rruga Shaip Spahiu po ashtu është e rregulluar që është një atraksion domethënë për të gjithë vizitorët. Në anën tjetër ne kemi subvencionuar shumë organizata, të cilat e begatojnë jetën kulturore në qytetin e Prizrenit. Ne kemi filluar dy festivale të reja”, ka deklaruar Totaj.

Një problem tjetër shumëdimensional në zhvillimin e turizmit është mungesa e guidave, të cilën e përmend kandidati i Lidhjes Demokratike për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj.

Para së gjithash ai thotë se është e rëndësishme që historia të tregohet drejt.

“Ne në Prizren nuk kemi persona, nuk kemi guidë që vijnë njerëzit dhe më pas kanë referencë pesë-gjashtë persona që i shoqërojnë grupet e caktuara dhe t’i vizitojnë objektet e rëndësishme, sepse Prizreni është përplot histori. Prizreni duhet të shndërruar vërtet në një qytet ku bëhet një pelegrinazh i çdoditshëm i turistëve të huaj për të parë vërtetë shumë, jo vetëm objekte historike, shumë vlera unike që ky qytet i ka dhe që mund t’i transmetojë si vlera historike të këtij shteti, tek e fundit”, ka theksuar Selmanaj.

Mosstandardizimi i guidave dhe mungesa e vendparkimeve

Kryetari i Prizrenit e pranon se Komuna nuk ka arritur ta standardizojë çështjen e guidave, që informacionet për historinë e qytetit të jepen saktë. Megjithatë thotë se është duke u punuar në funksion të kësaj.

“Janë disa guida të Prizrenit, të cilët na i njohim edhe e dimë që ata e prezantojnë historinë tonë në mënyrë korrekte, mirëpo ka edhe guida që vijnë bashkë me vizitorë për të cilët ne nuk kemi informacione të sakta se çka iu prezantojnë turistëve. Mirëpo në bashkëpunim me drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizimit, jemi duke u marrë në këtë çështje për ta standardizuar këtë punë edhe në bashkëpunim me Policinë, që guidat nga jashtë kur të vijnë të mos lejohet të iu japin informacione turistëve për qytetin tonë, pa e verifikuar se kush janë ata njerëz, çfarë programi kanë dhe çka ju tregojnë vizitorëve për historinë e qytetit tonë”, është shprehur Totaj.

Prizreni që hyn në mesin e qyteteve me më së shumti vizitorë nuk e ka të rregulluar çështjen e parkingjeve publike.

Ky është një ndër problemet themelore të qytetit, gjatë qeverisjes së PDK-së, vlerëson opozita.

“Prizreni është i ngulfatun sot, domethënë i gjithë Prizreni. Sot duhet të shkosh patjetër të parkosh makinën diku tek parkingjet private, e që gjatë sezonit të verës, muajit korrik dhe gusht, jo rrallëherë mund të dalë që më shtrenjtë të bëhet parkingu sesa drekën që e hanë në shadërvan me dikë. Nuk është e mundur kjo që në Prizren, dhe nuk duhet të lejohet që në Prizren, të paguash parking ndoshta sa në Cyrih ose diku tjetër”, ka thënë Driton Selmanaj.

Për mungesë të vendparkimeve, kanë kritikuar komunën edhe Krasniqi i AAK-së e Haxhillari i LVV-së.

“Sot Prizreni është kryeqendra e turizmit në Kosovë dhe fatkeqësisht përveç një vendparkimi që e ka bo për veturën e tij zyrtare përballë postës së Kosovës, apo përballë Therandës, Komuna Prizrenit nuk e ka gjeneruar asnjë vendparking të ri për këto katër vite. Nuk kemi zgjidhje të problemeve elementare, le më ato që i ka i ka premtuar gjatë fushatës së tij zgjedhore”, ka thënë Krasniqi.

“Ka ardhur në qeverisje me premtimin që do të arrijë t’i bëjë me mijëra parkingje nëntokësore dhe mbitokësore por që katër vjet qeverisje dhe asnjë vendparking të ri nuk e kemi në Komunën e Prizrenit”, ka shtuar Haxhillari.

Por, Totaj thotë se këtij premtimi nuk i erdhi rendi gjatë këtij mandati, ndonëse është optimist se deri në tetor do të ketë lëvizje në këtë drejtim.

“Çështjen e parkingjeve publike nëpër qytet nuk kemi mundur ta adresojmë hala, sepse si ka ardhur rendi, mirëpo jam shumë i sigurt se në pjesën e mbetur të mandatit, po edhe në mandatin tjetër, këtë çështje do ta adresojmë sikurse do ta adresojmë edhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes, edhe pse kjo punë i takon realisht hidroregjionit”, ka deklaruar Totaj.

Në qytetin e dytë më të madh në Kosovë ende ankohen për mungesë të ujit të pijshëm, të kanalizimeve, të infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit.

Kryetari Totaj deklaron se është punuar shumë në infrastrukturën bazike porse thotë se në përfundimin e të gjitha punëve problem ka qenë edhe bashkëpunimi me nivelin qendror.

“Gjithmonë nevojat e banorëve janë më të mëdha sesa ajo që na kemi punuar. Ne kemi realizuar shumë projekte nëpër fshatra. Kemi punuar në infrastrukturë, kemi punuar në rrugë, kemi punuar në instalim të matësve të ujit, kemi punuar në rregullim të trotuareve, të sallave, të shkollave, në rinovim të shkollave, krijim të një stadiumi të futbollit në Has, në fshatin Gjonaj, janë bërë domethënë shumë punë të mira, shumë punë janë në vijim e sipër, mirëpo gjithsesi kjo nuk mjafton. Sikur të kishim pasur një bashkëpunim dhe një përkrahje më të madhe nga ana e Qeverisë qendrore, jam i sigurt që do të mundnim bashkërisht të kryenim punë shumë më tepër”, është shprehur Totaj.

Partitë opozitare kritikojnë edhe për mosndërtimin e nënkalimit të qytetit, mirëpo kryetari thotë se patën arsye të qëndrueshme se pse nuk e implementuan këtë projekt.

Megjithatë shprehet optimist se në një mandat të ri si kryetar do ta jetësojë projektin për nënkalimin.

“Ka qenë premtim elektoral ndërtimi i nënkalimit. Vdiq ai projekt. Çfarë bënë sot, e kanë shndërruar në një rreth aty dhe shumica e asaj pune është bërë në funksion të një interesi biznesor të njerëzve, përreth kryetarit Totaj, por jo në interes për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve në Prizren”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj.

Por sipas kryetarit Totaj, projekti do të realizohet në mandatin e radhës, të cilin ai beson se do ta fitojë.

“Ne kemi bërë një studim të fizibilitetit edhe ekspertiza e profesionistëve, neve na rekomanduar një zgjidhje tjetër. Neve na ka rekomandu me bo zgjerimin e rrugës me katër korsi, e jo nënkalim për shkak të rrezikshmërisë për objektet ekzistuese dhe për shkak të kostos që do ta kishte shumë të lartë ndërtimi i atij nënkalimi. Kjo do të realizohet në mandatin tjetër, sepse hala s’i ka ardhë rendi”, ka thënë Totaj.

Qytet pa zonë ekonomike

Vlerësohet se nuk u bë punë as për bizneset.

“Ka premtuar që brenda gjashtë muajsh do ta funksionalizojë zonën ekonomike të qytetit, imagjino katër vjet, as edhe një milimetër nuk është bërë për funksionalizimin e kësaj zone. Pra, ka mbetur ashtu siç e kemi lënë ne”, ka thënë Haxhillari i LVV-së.

“Suhareka gati është në funksionalizim të zonës së dytë ekonomike, Prizreni s’ka fare zonë ekonomike”, ka shtuar Selmanaj i LDK-së.

Mirëpo, Totaj që pati mandat gati 4-vjeçar në udhëheqjen e Prizrenit, thotë se tash për shkak të afërsisë së zgjedhjeve, Komuna nuk ka të drejtë ligjore t’ua japë bizneseve në shfrytëzim parcelat.

“Ka qenë procedurë burokratike e cila na ka vonuar, domethënë, është dashur të votohet në asamble, është dashur të dërgohet konfirmimi në ministri, na e kanë kthyer prapë një herë, është dashur të korrigjohet diçka, të përmirësohet dhe krejt këto procedura burokratike na kanë marrë kohë. Po ashtu e kemi dërguar dokumentacionin për themelimin e një ndërmarrje publike për banim, në nëntor e kemi dërguar dokumentacionin në Qeveri, afati ligjor për me na u përgjigj ka qenë një muaj, besoni prej nëntorit deri më sot s’kemi asnjë përgjigje, as po as jo”, ka deklaruar Totaj.

Kryetari aktual i përmendi disa nga punët që janë kryer  gjatë këtij mandati.

“Po i përmendi për shembull veç largimin e shtëpisë edhe lidhjen e rrugës së transitit të ri, një projekt që ka pasur peshë specifike shumë të madhe. Pastaj e përmendi rikonstruktimin e sheshit të Shadërvanit, rregullimin e trotuareve, rregullimin e unazës së qytetit me asfalt, Bazhdarhanën, këtë udhëkryqin e ri, largimin e një objekti të vjetër, të shëmtuar, të ish-ndërmarrjes Liria”, ka shtuar Totaj.

Por partitë opozitare ia kontestojnë meritat kryetarit Totaj për këto projekte.

“Nëse Shaqir Totaj dhe ekipi i tij do të thirret në lirimin e rrugës së transitit, unë veçse ia përkujtoj edhe qytetarëve, po edhe atij që Gjykata e Apelit e ka pasur një urdhër ekzekutivi cili detyrimisht do ta detyronte secilin kryetar, edhe përmes përdorimit të institucioneve, edhe të policisë, edhe të gjykatës për ta liruar atë hapësirë edhe me edhe pa pëlqimin e pronarit, i cili e pati blloku kohë të gjatë. Pra  prishja e asaj shtëpie, nëse Shaqir Totaj krekoset me këtë të arritur, nuk është meritë e Shaqir Totajt”, ka thënë Krasniqi i AAK-së.

Kritika përpos për mos mbajtjen e premtimeve dhe punës jo të mirë, partitë në opozitë e vlerësojnë si korruptive qeverisjen lokale.

“Vetëm muajin e fundit i kemi katër aktakuza të zyrtarëve bukur të rëndësishëm të qeverisë lokale të zotit Totaj, kemi po ashtu një burgim të një zyrtareje shumë të rëndësishme të kuvendit komunal, s’kemi asnjë fjalë që flet kryetari i komunës për këto çështje. Unë jam i bindur që ai ose rrethi i tij janë të përfshijmë në krejt këto çështje, por ai nuk e ka fuqinë as politike, as njerëzore dhe as morale që del së paku, të distancohet nga ta, t’i largojë ata nga puna, t’i pezullojë nga puna. Kemi drejtorë që kanë aktakuzë komunale, dhe vazhdon del në punë”, ka thënë Selmanaj i LDK-së.

Por, për pretendimet e partive opozitare Totaj thekson se s’ka parë asgjë zyrtare, në të kundërtën do të merrte masa.

“Veç një drejtor e kemi, i cili unë e kam parë nëpër media që e ka një aktakuzë. Tash unë e kam pritë prej prokurorisë ose prej gjykatës me na njoftu neve formalisht se a ka apo nuk ka aktakuzë. As unë si kryetar i komunës, as drejtori respektiv, nuk ka marrë kurrgjë me shkrim hala prej Prokurorisë. Derisa nuk kemi një dokument me shkrim prej Prokurorisë, ne s’kemi mundur të ndërmarrim asnjë veprim. Përndryshe stafi politik i emëruar, në momentin kur i konfirmohet aktakuza, ne kemi standard që ai nuk mundet me qenë më drejtor, si staf politik”, ka thënë Totaj.

Totaj është akuzuar nga opozita edhe për nepotizëm gjatë këtij mandati.

“Ka thënë që qeverisja e tij do të jetë me barazi gjinore pesëdhjetë-pesëdhjetë. Neve e dimë që vetëm një apo dy drejtoresha i ka pas në ekzekutivin e tij, pra është shpërfill tej mase. Po ashtu, në punësimet, në të cilat ka thënë që meritokracia do të jetë dhe profesionalizmi do të jetë prioritet, ne e dimë që mandati i tij ka filluar me punësimin e djalit tij në ndërmarrjen publike Ekoregjioni, ka vazhduar me vjehrrën e tij apo me familjarët e tij, edhe më pastaj edhe me militantë partiakë të Partisë Demokratike në Prizren”, ka akuzuar Haxhillari i LVV-së.

E Totaj thotë se as për këtë akuzë të opozitës nuk ka argumente.

“Unë e besoj që kritika, mendimi kritik konstruktiv, kur shoqërohet me argumente, është i mirëseardhur. Deri më tani ne nuk kemi pasur asnjë vendim gjyqësor, ku dikush është dënuar për një veprim nepotik jashtëligjshëm. Domethënë në qoftë se nuk ka pasur njerëz të dënuar konsideroj që nuk ka pasur probleme, ose të paktën unë nuk kam informacione që ka mundur të ketë probleme të natyrës tillë”, ka thënë Totaj.

Totaj thotë se mandati i parë iu besua nga qytetarët e i dyti do t’i jepet si vlerësim për punën katërvjeçare.

Por, partitë opozitare shprehen të bindura se elektorati në Prizren do ta penalizojë qeverisjen e PDK-së, që sipas tyre, nuk ka sjellë asnjë projekt të madh për qytetin.

Sipas Institutit GAP, Totaj në fushatë elektorale ka dhënë 78 premtime.

36 i ka përfunduar, 20 i ka gjysmë të përmbushura, 15 të filluara dhe 7 nuk kanë nisur ende.