Ekonomi

Ankesa e bizneseve - ofertat për furnizim me rrymë mbi 200 për qind më të shtrenjta

Bizneset e mëdha, sidomos ato prodhuese kanë shprehur shqetësimin se ofertat e pranuara për furnizim me energji elektrike pas datës 1 qershor, do të rrisin koston operative në mënyrë të papërballueshme. Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna kjo do t’i shpjerë shumë nga to drejt mbylljes. Nga 1 qershori, të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit me energji elektrike

Mbi 200 për qind më shtrenjtë se çmimi aktual është oferta që një biznes ka pranuar për furnizim me rrymë nga KESCO pas 1 qershorit.

Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji që obligon konsumatorët e mëdhenj të dalin në treg të hapur, pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, ka alarmuar se çmimet e ofruara nga furnizuesi janë të papërballueshme.

“Frutex ka kontaktuar operatorin aktual KESCO për të marrë ofertën për furnizim të mëtejmë. Sipas kësaj oferte, çmimi i energjisë elektrike rezulton të jetë 225% më i lartë krahasuar me çmimin aktual. Për ilustrim, gjatë vitit 2024 Frutex ka paguar 421,000 euro për energji elektrike. Për të njëjtën sasi të konsumuar, pas 1 qershorit do të duhej të paguajmë 1,370,000 euro – një rritje e jashtëzakonshme dhe e papërballueshme për industrinë prodhuese”, ka shkruar Palushi në thirrjen e hapur që ka bërë për gjetjen e një furnizuesi me energji elektrike. 

Shqetësimin e njëjtë e kanë edhe bizneset e tjera, sidomos ato prodhuese.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, rritja e kostos operative po i drejton bizneset drejt mbylljes. Dalja në treg të hapur në kohën kur ka rritje të inflacionit, sipas tij, do të ketë ndikim edhe në bilanc tregtar.

“Kur ta rrit çmimin, atëherë produkti ynë nuk është konkurrent me produktet e importuara dhe në tregun e jashtëm që e kanë fituar me shumë mund me forcat e veta me mundësitë e veta do të bie kërkesa për produktin tonë dhe do të vije duke u tkurr prodhimi. Kur tkurret prodhimi, mbyllet fabrika, lirohen punëtorët, rritet papunësia dhe çfarë bëjmë ne shndërrohemi në një treg ku vetëm do të importojmë dhe paranë e gatshme do ta nxjerrim jashtë do të shfrytëzohen nga të gjithë”, ka theksuar Rafuna.

Rafuna i ka bërë thirrje edhe njëherë ZRRE-së që të shtyjë zbatimin e vendimit për së paku edhe një vit.

“Kemi pasur shumë ankesa nga ana e bizneseve dhe shqetësime, ku shprehin atë revoltën se nuk kanë mundësi që nga 1 qershori për një periudhë kaq të shkurtër të dalin në treg të hapur dhe të merren me oferta ose me bursa të ndryshme nuk kanë mundësi financiare për shkak shtrenjtimit shumë të madh nuk kanë edhe mundësi organizative në kuptimin e burimeve njerëzore të merren”, ka theksuar ai.

“Kërkojmë nga institucionet e vendit tonë, nga qeveria në detyrë, nga ZRRE-ja dhe nga institucionet tjera që mund të marrin veprime që të shpëtojnë biznesin, të shpëtojnë ekonominë”.

OEK-u për këtë i është drejtuar edhe Avokatit të Popullit, dhe pret që vendimi i ZRRE-së të atakohet në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë, është ende në fazë të shqyrtimit nga AP-ja. 

Nga 1 qershori, të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit me energji elektrike.

Kjo është kundërshtuar nga bizneset, të cilat kanë kërkuar edhe një shtyrje të këtij afati, pasi siç kanë thënë, nuk janë ende të gatshme.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane (OAEK) ka paralajmëruar se dalja në treg të hapur në këtë kohë do të krijojë vështirësi te bizneset.

“Kemi një pozitë de fakto monopolistike për aq kohë që 18 furnizuese nuk janë në gjendje të ofrojnë energji elektrike ose të operojnë si duhet krahasuar me njërin prej furnizueseve i cili ka ndoshta aftësinë më të madhe edhe për negociuar edhe për të furnizuar me energji. Bizneset në masë të madhe mendojnë se do të ballafaqohen me tarifa më të larta, e që në fakt efekti i daljes dhe mundësia e gjetjes së furnizueseve në treg të lirë do të duhej të ofronte çmime më të lira”, ka thënë ditë më parë, kryetarit i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka.

E në një anketë që OEAK e ka bërë me anëtarët e saj, sipas Zekës, rreth 80 për qind e tyre janë deklaruar se liberalizimi do të ketë ndikim negativ në operacionet e bizneseve.

“Mbi 70 për qind e tyre presin që do të humbasin në një shkallë të caktuar aftësinë e tyre konkurruese sidomos kundrejt shteteve tjera të rajonit. Duhet të kemi parasysh se edhe ashtu Kosova është treg i vogël dhe çfarëdo cenimi i përparësisë konkurruese mund t’i bëjë kompanitë më të brishta në raport me konkurrencën që ato ballafaqohen”, ka theksuar ai.

Vendimet e ZRRE-së sipas Zekës janë përcjellë me mangësi, pasi sipas tij, bizneset do të duheshin të paralajmërohen së paku 1 vit më herët që të përgatitën për krijimin e mirëfilltë të tarifave të energjisë, e po ashtu edhe furnizuesit e licencuar të operonin në treg.

KOHA ka raportuar se si Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë.

Kritika për këtë proces ka adresuar edhe Institutit për Politika Zhvillimore. Sipas tij, koha e shpalljes së vendimit nga ZRRE-ja ngre dyshime mbi transparencën dhe qëllimin e këtij hapi, pasi nuk është ofruar asnjë analizë e qartë mbi ndikimin që largimi i këtyre konsumatorëve do të ketë mbi tarifat e konsumatorëve të mbetur.

“Pavarësisht rëndësisë së liberalizimit për konkurrencën dhe zhvillimin e tregut, mënyra se si ky proces është menaxhuar nga ZRrE, me shtyrje dhe paqartësi të vazhdueshme, cenon rëndë besimin e konsumatorëve dhe aftësinë e tregut për t’u përshtatur në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme”, thuhet në raportin e INDEP-it.

Po ashtu si shqetësim ishte ngritur edhe çështja e stabilitetit energjetik që do t’u ofrohet konsumatorëve që dalin në treg të hapur, pasi që sipas njohësve, shkaku i fyteve të ngushta në momentin që ndërpritet rryma, ndërpritet për krejt rajonin.