Arbëri

Andoni: Ndërhyrja politike ka zbehur moton e protestës në përkrahje të UÇK-së në Tiranë

Analisti politik, Ben Andoni, ka deklaruar se ndërhyrja politike e ka zbehur moton e protestës në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të mbahet të premten në Tiranë.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, derisa ka folur për përplasjen midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Edi Ramës, ka thënë se uron që politika të premten të heshtë. 

“Organizimi i nesërm është goxha i matur. Ajo çfarë sot ka bërë përshtypje dhe deri diku më ka dhembur është politizimi, argumentimi i shumë njerëzve që nuk e njohin shumë mirë Kosovën, e përdorin Kosovën. Organizimi duket i mirë deri tani, përveç kësaj ndërhyrjes politikës që e ka zbehur moton e protestës. Uroj që politika nesër të paktën të heshtë. Relativizimi që bëhet qoftë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, është i tepruar. Në mendimin tim edhe z.Rama duhet të përmbahet”, ka thënë ai.

Andoni tutje ka thënë se është paradoksale se si Rama dhe Kurti që vijnë nga dy parti të majta të qendrës, nuk kanë aleancë. 

“Z.Rama për hir të së vërtetës, në Këshillin e Evropës ka folur një orë për Kosovën në ndërkohë që duhej të fliste edhe për Shqipërinë, keni parasysh se shqetësimet e Shqipërisë ishin shumë të mëdha për t’u nxjerrë në Këshillin e Evropës, ishim akoma në procesin për të hapur kapitujt e tjerë dhe Shqipërisë i duhej një paraqitje krejt tjetër, megjithatë ai e shfrytëzoi për Kosovën. Vetëvendosja dhe Partia Socialiste janë parti binjake, sepse janë parti të ideologjisë së majtë të qendrës, si të tilla ato do të duhej të kishin aleancë jo vetëm se janë parti të dy vendeve shqiptare, por mbi të gjitha një lloj mbështetje sepse janë pjesë e aleancës internacionale socialiste. Paradoksi ndodh që z.Rama shkon më mirë me partitë e djathta në Kosovë, sepse po ta ndiqni me kujdes nga ana ideologjike z.Rama po ta gërvishtësh pak është më i djathtë sesa Partia Demokratike këtu, ashtu si z.Kurti që nga i majtë në Kosovë shkon më mirë me Partinë Demokratike që është mirëfilli e të djathtës së qendrës. Këtu tregohet se te ne sakrifikohet ideologjia thjeshtë për egon e kryetarëve të qeverisë, ky është shqetësim i madh”, është shprehur ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se ka qenë njëri nga lobuesit kryesorë për themelimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Rama është kundërpërgjigjur duke i cilësuar akuzat si politike dhe të nxitura nga gara për balotazh në Kosovë.