Ekonomi

Bajra për tarifat e SHBA-së: Mund të ndryshohet arkitektura e sistemit tregtar në Kosovë

Emanuel Bajra

Njohësi i ekonomisë Emanuel Bajra nuk beson se masa tarifore prej 10 për qind që SHBA-ja ka vendosur të aplikojë edhe ndaj Kosovës, do të ketë ndikim të madh në ekonominë kosovare apo ndikim prekës. 

Por, Bajra pret që brenda disa muajve të ndryshohet arkitektura e sistemit tregtar të Kosovës me vendet tjera. 

“Kemi MSA-në, CEFTA-n e krejt organizimet tjera të krijuara në 20 vjetët e kaluara. Çfarë do të bëjë Evropa në rastin e masave amerikane tash. A  do të kthehet Evropa si Amerikë e dytë me imponim të tarifave ndaj vendeve tjera apo do t’u rezistojë politikave tarifore? Nëse reziston atëherë jemi në rregull si Kosovë. Nëse jo atëherë do të ketë ndikim edhe te ne. Por, mendoj se në njëfarë mënyre mund ta ndihmojë ekonominë e Kosovës, nëse kemi kthim të politikave tarifore globale ... të jep liri për të stimuluar industrinë e prodhimit të brendshëm. Kemi sot deficit tregtar tejet të madh. Përderisa nuk esportojmë shumë. Ky do të jetë besoj objekt e strategji e qeverisë së ardhshme. Të rritet niveli i eksporteve”, tha Bajra për emisionin “Sot” në KTV. 

Ai ka thënë se duhet krijuar strategji, por jo të krijohet ndonjë masë subvencionimi për çdo prodhues. 
Bajra ka thënë se bota në përgjithësi është përgatitur për inflacion nga masat e marra nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. 

Trump të mërkurën ka vendosur masa reciproke tarifore ndaj gjitha shteteve. 

Bajra ka thënë se synimi i Trumpit me këto masa është Kina më tepër. 

Eksperti i ekonomisë thotë se pret të ketë për SHBA-në përfitime, por nëse nuk shkon sipas planit atëherë s'[e përjashton mundësinë që nga gushti Trump të vendosë të heqë masat ndaj disa vendeve.