Ekonomi

Institucionet pa ndonjë plan për shfrytëzimin e remitencave

Pavarësisht rritjes ndër vite të remitencave, institucionet e vendit nuk kanë ndonjë plan për shfrytëzimin e tyre. Ekspertët kërkojnë që këto mjete të orientohen drejt zhvillimit dhe punësimit. Vetëm në katër muajt e parë të këtij vitit, sipas të dhënave të BQK-së, nga diaspora janë dërguar mbi 402 milionë euro.

Remzi Hajredini, i cili jeton në Gjermani tashmë e më shumë se tri dekada, mallin dhe dashurinë për Kosovën mundohet ta lehtësojë duke i ndihmuar familjarët që i ka në vendlindje.

Ndihmën më të madhe familjarëve thotë ai, e ka dhënë pas luftës.

“Jam shumë i gatshëm t’i ndihmoj edhe familjes, edhe shoqërisë kosovare, me çka të kenë nevojë dhe me të gjitha mundësitë që kam. Mirëpo, vështirësia më e madhe ka qenë pas luftës – atëherë kishte shumë skamje dhe varfëri. Pas luftës, unë i kam ndihmuar më së shumti – madje edhe kafshatën e gojës e kam ndarë me ta”, ka deklaruar Hajredini.

Ashtu si Remzi Hajredini, edhe Arsim Kryeziu ka vite që jeton në Gjermani, ku ndodhet bashkë me shumicën e familjarëve të tij.

Por, përtej ndihmës familjare, Arsim Kryeziu, tregon se bashkë me familjen është pjesë edhe e një shoqate humanitare në qytetin ku jetojnë, përmes së cilës i ndihmojnë familjet në Kosovë.

“E kemi një grup në qytetin ku jetoj në Gjermani, ku paraqiten familje nga Kosova që kanë nevojë, dhe ne u ndihmojmë jo vetëm familjarëve tanë, por edhe të tjerëve", u shpreh Kryeziu.

Sikurse Hajredini e Kryeziut, remitencat nga mërgata i japin frymë ekonomisë në vend.

Sipas të dhënave të fundit nga Banka Qendrore e Kosovës, gjatë katër muajve të parë të këtij viti nga diaspora janë dërguar mbi 402 milionë euro në formë remitencash.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e konsideron këtë ndikim si jetik për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ky trend aktual për këta katër muaj, me mbi 402 milionë euro, nënkupton që për 12 muaj do të arrijë në rreth 1 miliard e 200 milionë euro. Nëse këto të hyra krahasohen me Bruto Produktin Vendor, ato paraqesin rreth 12 apo 13 për qind një shumë relativisht e madhe, sidomos duke qenë para ‘cash’ që i duhen ekonomisë sonë”, ka thënë ai.

Por, përveç vlerës, rëndësi ka edhe mënyra se si këto para shfrytëzohen.

E, profesori i ekonomisë, Bashkim Mustafa, flet për rëndësinë që ka mënyra se si këto para shfrytëzohen.

“Remitencat janë një kontribues i jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit. Ky trend po vazhdon nga viti në vit, mirëpo riorientimi i tyre nuk është në formën e duhur. Sipas ASK-së, 67% e tyre shkojnë në blerjen e patundshmërive apo në kapital fiks. Do të duhej të ndryshonin politikat qeveritare, në mënyrë që këto remitenca të riorganizohen dhe të orientohen drejt aktiviteteve prodhuese që gjenerojnë vende të reja pune”, ka shtuar ai.

KOHA tash e dy javë e ka pyetur në Ministrinë e Financave nëse deri tash është ndërmarr ndonjë hap lidhur me bashkëpunimin ndërinstitucional për të krijuar mekanizma që nxisin investime të qëndrueshme nga këto dërgesa, por deri në momentin e transmetimit të stories nuk ka marrë përgjigje.

Sipas të dhënave të publikuara nga të “Instituti GAP”, remitencat e kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit, duke arritur në 1.350 miliard euro në vitin 2024 nga 665 milionë euro sa ishin në vitin 2015.